TEOLOGJI SISTEMATIKE

•  Një hyrje në doktrinën biblike  •

WAYNE

 GRUDEM

E drejta e Autorit © 1994 nga Wayne Grudem.
E drejta e autorit për shtojcën 6 dhe fjalorthin © 2000 nga Wayne Grudem.

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet, të ruhet në një sistem përtëritës të tekstit apo të transmetohet në çfarëdo forme apo mënyre elektronike, mekanike, fotokopjime, regjistrime, apo ndonjë mënyre tjetër, përveç citimeve të shkurtra në kritikën e shkruar, pa lejen paraprake të botuesit.


Kushtuar

Ky libër u kushtohet tetë personave

të cilët Perëndia i solli me sovranitetin e Tij në jetën time:

Arden dhe Jean Grudem, prindërit e mi,
të cilët më mësuan t’i besoj Biblës,
t’i besoj Perëndisë,
dhe të flas e të shkruaj qartë;

A. Kenneth Ham, pastorit tim baptist,
i cili zgjoi në mua një dashuri për teologjinë sistematike
duke dhënë mësim në një kurs mbi doktrinën e krishterë

kur isha trembëdhjetë vjeç,
dhe i cili më mësoi me anë të shembullit të vet që të besoj

çdo fjalë të Shkrimit;

Edmund Clowney, John Frame, dhe Vern Poythress,
profesorë dhe miq të Seminarit Westminster (Westminster Seminary),
të cilët ndikuan tek arsyetimi im teologjik
më shumë se kushdo tjetër,
dhe të cilët më mësuan teologjinë e Reformuar në

nënshtrim të përulur ndaj çdo fjale të Shkrimit;

dhe Harald Bredesen dhe John Wimber,
pastorë dhe miq,
të cilët, më shumë se kushdo tjetër,
më mësuan për fuqinë dhe veprën

e Frymës së Shenjtë.


Përmbajtja

SHKURTIMET

HYRJE

     Kapitulli 1: Hyrje në teologjinë sistematike

Çfarë është teologjia sistematike? Përse të krishterët duhet ta studiojnë? Si duhet ta studiojmë?

PJESA 1: DOKTRINA E FJALËS SË PERËNDISË

     Kapitulli 2: Fjala e Perëndisë 

Cilat janë format e ndryshme të Fjalës së Perëndisë?

     Kapitulli 3: Kanoni i Shkrimit

Çfarë duhet të jetë dhe çfarë nuk duhet të jetë në Bibël?

     Kapitulli 4: Katër karakteristikat e Shkrimit: (1) Autoriteti

Nga e dimë se Bibla është Fjala e Perëndisë?

     Kapitulli 5: Pagabueshmëria e Shkrimit

A ka gabime në Bibël?

     Kapitulli 6: Katër karakteristikat e Shkrimit: (2) Qartësia

A mundet që vetëm studiuesit biblikë ta kuptojnë drejt Biblën?

     Kapitulli 7: Katër karakteristikat e Shkrimit: (3) Domosdoshmëria

Për çfarë qëllimesh është e nevojshme Bibla? Sa shumë mund të dinë njerëzit për Perëndinë pa Biblën?

     Kapitulli 8: Katër karakteristikat e Shkrimit: (4) Mjaftueshmëria

A është e mjaftueshme Bibla për të ditur atë që Perëndia dëshiron që ne të mendojmë apo të bëjmë?

PJESA 2: DOKTRINA E PERËNDISË 

     Kapitulli 9: Ekzistenca e Perëndisë

Nga e dimë që Perëndia ekziston?

     Kapitulli 10: Njohshmëria e Perëndisë

A mund ta njohim me të vërtetë Perëndinë? Sa shumë nga Perëndia mund të njohim?

     Kapitulli 11: Karakteri i Perëndisë: Atributet e “pa komunikueshme”

Ku ndryshon Perëndia nga ne?

     Kapitulli 12: Karakteri i Perëndisë: Atributet “e komunikueshme” (Pjesa 1)

Si është Perëndia si ne në qenien e Tij dhe në atributet e Tij mendore dhe morale?

     Kapitulli 13: Karakteri i Perëndisë: Atributet “E komunikueshme” (Pjesa 2)

Si është Perëndia si ne në atributin e vullnetit dhe në atributet që përmbledhin shkëlqyeshmërinë e Tij?

     Kapitulli 14: Perëndia në tri persona: Trinia

Si mund të jetë Perëndia tri persona dhe megjithëkëtë një Perëndi?

     Kapitulli 15: Krijimi

Pse, si dhe kur e krijoi Perëndia universin?

     Kapitulli 16: Provania e Perëndisë

Nëse Perëndia kontrollon gjithçka, si mund të kenë veprimet tona kuptim të vërtetë? Cilat janë dekretet e Perëndisë?

     Kapitulli 17: Mrekullitë

Çfarë janë mrekullitë? A mund të ndodhin ato sot?

     Kapitulli 18: Lutja

Përse Perëndia dëshiron që të lutemi? Si mund të lutemi me efikasitet?

     Kapitulli 19: Engjëjt

Çfarë janë engjëjt? Përse Perëndia i krijoi ata?

     Kapitulli 20: Satani dhe demonët

Si duhet të mendojnë të krishterët sot për Satanin dhe demonët? Lufta shpirtërore.

PJESA 3: DOKTRINA E NJERIUT 

     Kapitulli 21: Krijimi i njeriut

Përse na krijoi Perëndia? Në ç‘kuptim na bëri Perëndia si Veten? Si mund ta kënaqim Atë në jetesën tonë të përditshme?

     Kapitulli 22: Njeriu si mashkull dhe femër

Përse Perëndia krijoi dy gjini? A mund të jenë të barabartë burrat dhe gratë, e megjithëkëtë të kenë role të ndryshme?

     Kapitulli 23: Natyra thelbësore e njeriut

Çfarë nënkupton Shkrimi me “shpirt” dhe “frymë”? A janë e njëjta gjë?

     Kapitulli 24: Mëkati

Çfarë është mëkati? Nga erdhi? A e trashëgojmë një natyrë mëkatare nga Adami? A e trashëgojmë fajin nga Adami?

     Kapitulli 25: Besëlidhjet midis Perëndisë dhe njeriut

Çfarë parimesh përcaktojnë mënyrën se si Perëndia hyn në raport me ne?

PJESA 4: DOKTRINA E KRISHTIT DHE E FRYMËS SË SHENJTË 

     Kapitulli 26: Personi i Krishtit

Si është Jezusi tërësisht Perëndi dhe tërësisht njeri por megjithëkëtë një person i vetëm?

     Kapitulli 27: Shlesa

A ishte e nevojshme që Krishti të vdiste? A na siguroi ndonjë përfitim shpëtues e tërë jeta tokësore e Krishtit? Shkaku dhe natyra e shlesës. A zbriti Krishti në ferr?

     Kapitulli 28: Ringjallja dhe ngritja (në qiell)

Si ishte trupi i ringjallur i Krishtit? Çfarë domethënieje ka kjo për ne? Çfarë ndodhi me Krishtin pasi u ngrit në qiell?  Çfarë nënkuptohet me gjendjet e Jezus Krishtit?

     Kapitulli 29: Postet e Krishtit 

Si është Krishti profet, prift dhe mbret?

     Kapitulli 30: Vepra e Frymës së Shenjtë 

Cilat janë veprimtaritë e veçanta të Frymës së Shenjtë gjatë gjithë historisë së Biblës?

PJESA 5: DOKTRINA E ZBATIMIT TË SHPENGIMIT 

     Kapitulli 31: Hiri i përgjithshëm

Cilat janë bekimet e pamerituara që Perëndia ua jep të gjithë njerëzve, qofshin besimtarë qofshin jobesimtarë?

     Kapitulli 32: Zgjedhja dhe refuzimi nga Perëndia

Kur dhe pse na zgjodhi Perëndia? A ka disa që nuk janë zgjedhur?

     Kapitulli 33: Thirrja e ungjillit dhe thirrja efektive

Cili është mesazhi i ungjillit? Si bëhet efektiv ai?

     Kapitulli 34: Ripërtëritja

Çfarë do të thotë të rilindësh?

     Kapitulli 35: Kthimi në besim (besimi dhe pendesa)

Çfarë është pendesa e vërtetë? Çfarë është besimi shpëtues? A mund ta pranojnë njerëzit Jezusin si Shpëtimtar dhe jo si Zot?

     Kapitulli 36: Drejtësimi (Qëndrimi i drejtë ligjor para Perëndisë)

Si dhe kur e fitojmë qëndrimin e drejtë ligjor para Perëndisë?

     Kapitulli 37: Birësimi (Anëtarësia në familjen e Perëndisë)

Cilat janë përfitimet e të qenurit pjesëtar i familjes së Perëndisë?

     Kapitulli 38: Shenjtërimi (Rritja në ngjashmëri me Krishtin)

Si rritemi në pjekurinë e krishterë? Cilat janë bekimet e rritjes së krishterë?

     Kapitulli 39: Pagëzimi dhe mbushja me Frymën e Shenjtë 

A duhet të kërkojmë “pagëzim në Frymën e Shenjtë” pas kthimit në besim? Çfarë do të thotë të mbushesh me Frymën e Shenjtë?

     Kapitulli 40: Ngulmimi i shenjtorëve (të qëndruarit i krishterë)

A mundet që të krishterët e vërtetë ta humbin shpëtimin e tyre? Si mund ta dimë nëse jemi të rilindur me të vërtetë?

     Kapitulli 41: Vdekja dhe gjendja e ndërmjetme 

Cili është qëllimi i vdekjes në jetën e krishterë? Çfarë ndodh me trupat dhe shpirtrat tanë pasi vdesim?

     Kapitulli 42: Përlëvdimi (Marrja e trupit të ringjallur) 

Kur do t’i marrim trupat e ringjallur? Si do të jenë ata?

     Kapitulli 43: Bashkimi me Krishtin 

Çfarë do të thotë të jesh “në Krishtin” ose “i bashkuar me Krishtin”?  

PJESA 6: DOKTRINA E KISHËS 

     Kapitulli 44: Kisha: natyra, shenja dhe qëllimet e saj 

Çfarë është e nevojshme për të bërë një kishë? Si mund ta dallojmë një kishë të vërtetë? Qëllimet e kishës.

     Kapitulli 45: Dëlirësia dhe uniteti i kishës 

Çfarë e bën një kishë më shumë ose më pak të pëlqyeshme për Perëndinë? Me cilat lloje kishash duhet të bashkëpunojmë ose të bashkohemi?

     Kapitulli 46: Autoriteti i kishës 

Çfarë lloj autoriteti zotëron kisha? Si duhet të funksionojë disiplina e kishës?

     Kapitulli 47: Qeverisja e kishës 

Si duhet të administrohet një kishë? Si duhet të zgjidhen të parët e kishës? A duhet të shërbejnë gratë si pastore në kisha?

     Kapitulli 48: Mjetet e hirit përbrenda kishës 

Cilat janë veprimtaritë e ndryshme përbrenda jetës së kishës që Perëndia përdor për të na sjellë bekime? Çfarë humbasim nëse lëmë pas dore përfshirjen në një kishë vendore?

     Kapitulli 49: Pagëzimi

Kush duhet të pagëzohet? Si duhet bërë? Çfarë do të thotë?

     Kapitulli 50: Darka e Zotit 

Cila është domethënia e Darkës së Zotit? Si duhet kremtuar?

     Kapitulli 51: Adhurimi

Si do mundet adhurimi ynë të përmbushë qëllimin e tij të mrekullueshëm në epokën e Besëlidhjes së Re? Çfarë do të thotë të adhurosh “në frymë dhe në të vërtetë”?

     Kapitulli 52: Dhuntitë e Frymës së Shenjtë: (Pjesa 1) Pyetje të përgjithshme 

Çfarë janë dhuntitë frymërore? Sa ka prej tyre? A kanë pushuar së ekzistuari disa dhunti? Kërkimi dhe përdorimi i dhuntive frymërore.

     Kapitulli 53: Dhuntitë e Frymës së Shenjtë: (Pjesa 2) Dhunti të veçanta 

Si duhet t’i kuptojmë dhe t’i përdorim dhuntitë e veçanta frymërore?

PJESA 7: DOKTRINA E SË ARDHMES 

     Kapitulli 54: Kthimi i Krishtit: Kur dhe si do të kthehet? 

Kur dhe si do të kthehet Krishti? A mund të kthehet Ai në çdo moment?

     Kapitulli 55: Mijëvjeçari 

Çfarë është Mijëvjeçari? Kur ndodh? A do ta përjetojnë të krishterët Mundimin e Madh?

     Kapitulli 56: Gjyqi i fundit dhe ndëshkimi i përjetshëm 

Kush do të gjykohet? Çfarë është ferri?

     Kapitulli 57: Qiejt e rinj dhe toka e re

Çfarë është qielli? A është ai një vend real? Si do të ripërtërihet toka? Si do të jetë të jetosh në qiejt e rinj dhe në tokën e re?

SHTOJCAT

     Shtojca 1: Rrëfime historike të besimit 

Besorja e Apostujve

Besorja e Nicesë 

Besorja Kalcedonisë 

Besorja Athanasiane  

Tridhjetë e nëntë nenet e besimit

Rrëfimi i besimit i Uestminsterit 

Rrëfimi i besimit baptist i Nju Hempshërit 

Mesazhi dhe besimi baptist

Deklarata e Çikagos për pagabueshmërinë Biblike

     Shtojca 2: Pasazhe të Shkrimit për t’u mësuar përmendësh

     Shtojca 3: Këngë bashkëkohore adhurimi të klasifikuara sipas kapitujve

     Shtojca 4: Bibliografi me shënime nga teologji sistematike Ungjillore  

     Shtojca 5: Lista e plotë e teologjive sistematike me tregues në fund të çdo kapitulli 

     Shtojca 6: Polemika e Monogjenesës: “Vetëm” apo “i Vetëmlindur”?

FJALORTHI

INDEKSI

Indeksi i himneve

Indeksi i figurave

Indeksi analitik


Shkurtime

BAGD     Leksik Greqisht-Anglisht i Besëlidhjes së Re dhe i të Tjera Literaturave të Krishterimit të Hershëm. Red. Walter Bauer. Rishikuar dhe përkth. Wm. Arndt, F.W. Gingrich dhe F. Danker. Çikago: (University of Chicago Press), 1979.

BDB     Leksik Hebraisht dhe Anglisht i Besëlidhjes së Vjetër F. Brown, S.R. Driver, dhe C. Briggs. Oksford: Clarendon Press, 1907; rishtypur me korrigjime, 1968.

BSHTU     Buletini i Shoqërisë Teologjike Ungjillore

BibSac     Bibliotheca Sacra (Biblioteka e Shenjtë)

kr.     Krahaso

BTSHKK    Botimet Tremujore të Shoqërisë Kërkimore të Krijimit  

CT     Christianity Today (revista Krishterimi Sot)

RTK     Revista Teologjike Kriswell  

FLPK     Fjalori i Lëvizjeve Pentakostale dhe Karizmatike. Stanley M. Burgess dhe Gary B. McGee, red. Grand Rapids: Zondervan, 1988.

KSHB     Komentari Shpjegues i Biblës. Frank E. Gaebelein, red. Grand Rapids: Zondervan, 1976.

red.     Redaktuar nga (red.), botim

FUT     Fjalori Ungjillor i Teologjisë. Walter Elwell, red. Grand Rapids: Baker, 1984.

etj.     E të tjerë

FIB     Fjalori i Ilustruar i Biblës. Red. J.D. Douglas, etj. 3 vëll. Leicester: Inter-Varsity Press, dhe Wheaton: Tyndale House, 1980.

ENSB     Enciklopedia Standarde Ndërkombëtare e Biblës. Botim i rishikuar. G.W. Bromiley, red. Grand Rapids: Eerdmans, 1982.

RSHMA     Revista e Shoqatës Mjekësore Amerikane

RLB     Revista e Literaturës Biblike

RSHTU     Revista e Shoqërisë Teologjike Ungjillore

JSOT     Revista për Studimin e Besëlidhjes së Vjetër

kjv     Versioni i Biblës Anglisht, i titulluar King James Version, VA (Versioni i Autorizuar)

LSJ     Leksik Greqisht-Anglisht botimi i nëntë. Henry Liddell, Robert Scott, H.S. Jones, R. McKenzie. Oksford: Clarendon Press, 1940.

lxx     Septuaginta

mg.     margjina apo shënime anës faqes

sh.     shënim

P.d.     pa datë botimi 

P.v.        pa vend botimi

nasb     Versioni në anglisht i Biblës, i titulluar: New American Standard Bible

FRT     Fjalori i Ri i Teologjisë. S.B. Ferguson, D.F. Wright, J.I. Packer, red. Leicester dhe Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1988.

FRNKK     Fjalori i Ri Ndërkombëtar i Kishës së Krishterë. Red. J.D. Douglas e të tjerë. Grand Rapids: Zondervan, 1974.

FRNYBR     Fjalori i Ri Ndërkombëtar i Teologjisë së Besëlidhjes së Re. 3 vëll. Colin Brown, kry. red. Grand Rapids: Zondervan, 1975-1978.

KRNBRG     Komentarët e Rinj Ndërkombëtar të Besëlidhjes së Re në Greqisht

niv      Versioni në anglisht i Biblës, i titulluar: New International Version

nkjv     Versioni në anglisht i Biblës, i titulluar: New King James Version

NTS     Studimet e Besëlidhjes së Re

FOKK     Fjalori i Oksfordit i Kishës së Krishterë. Red. F.L. Cross. Londër dhe Nju Jork: Oksford University Press, 1977.

rish.     rishikuar

rsv     Versioni në anglisht i Biblës, i titulluar: Revised Standard Version

BY     Buletini Tyndale

FTBR     Fjalori Teologjik i Besëlidhjes së Re. 10 vëll. G. Kittel dhe G. Friedrich, red.; përkth. G.W. Bromiley. Grand Rapids: Eerdmans, 1964-1976.

KBRT     Komentarët e Besëlidhjes së Re Tyndale

KBVT     Komentarët e Besëlidhjes së Vjetër Tyndale

përkth.     Përkthyer nga

RevT     Revista Trinia

vëll.     Vëllim

KFB     Komentari i Fjalëve Biblike

RTU     Revista Teologjike e Uestministerit


Hyrje

Këtë libër nuk e shkrova për mësuesit e tjerë të teologjisë (edhe pse shpresoj që shumë prej tyre ta lexojnë). E shkrova për studentët, dhe jo vetëm për studentët, por dhe për çdo të krishterë i cili është i etur të dijë në më shumë thellësi doktrinat qendrore të Biblës.

Kjo është arsyeja përse këtë libër e kam titulluar: “Një Hyrje në Doktrinën Biblike”. Jam përpjekur ta bëj të kuptueshëm edhe për të krishterët të cilët nuk kanë studiuar më parë teologji. Kam shmangur përdorimin e fjalëve teknike pa i shpjeguar më parë ato. Gjithashtu, pjesa më e madhe e kapitujve mund të lexohen më vete, kështu që lexuesi mund të fillojë me cilindo kapitull dhe ta kuptojë atë pa pasur nevojë të lexojë materialet e mëparshme.

Studimet hyrëse nuk kanë përse të jenë të cekëta ose të thjeshtëzuara. Jam i bindur se shumica e të krishterëve janë në gjendje të kuptojnë mësime doktrinare të Biblës në thellësi të konsiderueshme, po qe se u paraqiten qartësisht dhe pa përdorur një gjuhë tepër teknike. Për rrjedhojë, aty ku dukej e nevojshme, nuk ngurrova t’i trajtoj debatet teologjike deri në hollësi.

Megjithëkëtë, ky libër, pavarësisht madhësisë së tij, mbetet përsëri një hyrje në teologjinë sistematike. Libra të tërë janë shkruar për temat e trajtuara në secilin kapitull të këtij libri dhe artikuj të tërë janë shkruar për shumë nga vargjet e cituara në këtë libër. Për rrjedhojë secili kapitull ka mundësinë të çelë studim të mëtejshëm në shkallë më të lartë ose me më shumë thellësi për ata që janë të interesuar. Bibliografitë në fund të çdo kapitulli japin ndihmë në atë drejtim.

Gjashtë veçoritë e dallueshme dhe të mëtejshme të këtij libri, rrjedhin nga bindjet e mia se për çfarë është teologjia sistematike dhe se si ajo duhet dhënë mësim:

1. Një bazë e qartë biblike për doktrinat. Për shkak se besoj se teologjia duhet të bazohet qartësisht në mësimet e Shkrimit, në secilin kapitull jam përpjekur të tregoj se ku Bibla mbështet doktrinat e marra në shqyrtim aty. Në fakt, për shkak se besoj se vetë fjalët e Shkrimit kanë pushtet dhe autoritet më të madh se ndonjë fjalë njerëzore, nuk kam dhënë vetëm referenca të Biblës por shpesh herë kam cituar vargje të tëra nga Bibla me qëllim që lexuesit të shqyrtojnë vetë me lehtësi provat nga Shkrimi dhe kësisoj t’u përngjajnë bereasve të fisëm, që “i shqyrtonin shkrimet çdo ditë për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu” (Veprat e Apostujve 17:11). Kjo bindje për natyrën unike të Biblës si fjala e Perëndisë, ka çuar në përfshirjen e një pasazhi për t’u mësuar përmendësh nga Shkrimi në fund të secilit kapitull.

2. Qartësi në shpjegimin e doktrinave. Nuk besoj se Perëndia synoi që studimi i teologjisë të rezultonte në pështjellim dhe pezmatim. Studenti që mbaron një kurs teologjik e që mbetet i mbushur vetëm me pasiguri doktrinare dhe një mijë pyetje pa përgjigje, vështirë se “është në gjendje me doktrinën e shëndoshë të nxisë dhe të bindë ata që flasin kundër” (Titi 1:9). Për rrjedhojë, jam përpjekur të përmend me qartësi pikëpamjet doktrinare të këtij libri dhe të tregoj se ku në Shkrim gjej prova bindëse për ato pikëpamje. Nuk pres që çdokush që lexon këtë libër të bjerë dakord me mua në çdo çështje doktrinare; nuk mendoj se çdo lexues do të kuptojë pikëpamjet që mbështes dhe për të cilat ka Shkrime mbështetëse.

Mendoj se është e drejtë ndaj lexuesve të këtij libri t’ju tregoj që në fillim se cilat janë bindjet e mia personale për disa çështje që debatohen përbrenda rrethit të krishterimit ungjillor. Unë mbështes një pikëpamje konservatore të pagabueshmërisë së Biblës, jam së tepërmi i një mendjeje me “Deklaratën e Çikagos” të Këshillit Ndërkombëtar për Pagabueshmërinë Biblike (kapitulli 5 dhe shtojca 1, fq. 1203–1206), dhe me një pikëpamje tradicionale të Reformuar për sa i përket çështjes së sovranitetit të Perëndisë dhe përgjegjësisë së njeriut (kapitulli 16), shtrirjen e shlesës (kapitulli 27), dhe për çështjen e paracaktimit (kapitulli 32). Në përputhje me pikëpamjen e Reformuar, i qëndroj mendimit se ata që janë të rilindur me të vërtetë, nuk e humbin asnjëherë shpëtimin e tyre (kapitulli 40). Për sa i përket marrëdhënieve burrë-grua, argumentoj për një pikëpamje që nuk është as tradicionale e as feministe, por “plotësuese”—që do të thotë se, Perëndia e krijoi burrin dhe gruan të barabartë në vlerë dhe personalitet dhe të barabartë në mbajtjen e shëmbëlltyrës së Tij, por se edhe krijimi edhe shpengimi tregojnë role të veçanta për burrat dhe gratë në martesë (kapitulli 22) dhe në kishë (kapitulli 47). Për qeverisjen e kishës, unë përkrah një formë të modifikuar kongregacionale qeverisjeje, me shumësi pleqsh në pozicione qeverisëse (kapitulli 47). Unë mbështes një pikëpamje të traditës baptiste të pagëzimit, domethënë, se ata që bëjnë një rrëfim të besueshëm të besimit vetjak, duhet të pagëzohen (kapitulli 49). Unë besoj se “pagëzimi në Frymën e Shenjtë” është një frazë e zbatuar më mirë për kthimin në besim, dhe përvojat e mëpasshme mund të quhen më mirë “të mbushesh me Frymën e Shenjtë” (kapitulli 39); për më tepër, se të gjitha dhuntitë e Frymës së Shenjtë të përmendura në Besëlidhjen e Re janë ende të vlefshme për ditët e sotme, por se “apostulli” është një post dhe jo një dhunti dhe se ky post sot nuk vazhdon më, (kapitulli 52, 53). Besoj se ardhja e dytë e Krishtit mund të ndodhë në cilëndo ditë, se do të jetë para mijëvjeçarit, domethënë, se do të shënojë fillimin e mbretërimit të Tij për njëmijë vjet-paqeje të përsosur mbi dhé, por se do të jetë pas periudhës së mundimit, domethënë, se shumë të krishterë do ta përjetojnë mundimin e madh (kapitujt 54, 55).

Kjo gjë nuk do të thotë se nuk i marr parasysh pikëpamjet e tjera. Aty ku ka ndryshime doktrinare përbrenda krishterimit ungjillor jam përpjekur t’i paraqes pikëpamjet e tjera sa më drejt, duke shpjeguar arsyen përse nuk jam i një mendjeje me to, dhe duke dhënë referenca për mbrojtjet më të mira të mundshme të pikëpamjeve të kundërta. Në fakt, e kam bërë të lehtë për studentët të gjejnë një deklaratë Ungjillore konservatore për secilën temë nga përbrenda traditave të tyre teologjike, sepse secili kapitull ka një indeks për trajtimin e temës së atij kapitulli në tridhjetë e katër tekstet e tjera teologjike të klasifikuara sipas llojit denominacional. (Nëse nuk ia kam dalë mbanë të paraqes me saktësi një pikëpamje të kundërt, do ta vlerësoja një letër të dërguar nga çdokush që përkrah atë pikëpamje dhe do të përpiqem t’i bëj korrigjimet përkatëse nëse një botim pasues i këtij libri do të botohet.)

3. Zbatim për jetën. Nuk besoj se Perëndia e synoi studimin e teologjisë për të qenë i thatë dhe i mërzitshëm. Teologjia është studimi i Perëndisë dhe gjithë veprave të Tij! Teologjia është supozuar të jetohet, të shprehet në lutje dhe të këndohet! Të gjitha shkrimet e mrekullueshme doktrinare të Biblës (si letra e Palit drejtuar Romakëve) janë përplot përlëvdime ndaj Perëndisë dhe zbatime personale në jetë. Për këtë arsye herë pas here, kam ngërthyer në tekst shënime mbi zbatimin  dhe kam shtuar “Pyetje për Zbatim Personal” në fund të çdo kapitulli, si dhe një himn që ka të bëjë me temën e kapitullit. Teologjia e vërtetë është të mësosh atë gjë “sipas perëndishmërisë” (1 Tim. 6:3), dhe teologjia kur mësohet në mënyrën e drejtë, do të çojë në pjekuri në jetët tona të krishtera dhe në adhurim.

4. Përqendrimi në botën ungjillore. Nuk mendoj se një sistem i mirëfilltë teologjik mund të ndërtohet përbrenda asaj që ne mund ta quajmë tradita “liberale” teologjike—domethënë, nga njerëz që mohojnë vërtetësinë absolute të Biblës, ose të cilët nuk mendojnë se fjalët e Biblës janë fjalët e Perëndisë Vetë (shih kapitullin 4, mbi autoritetin e Shkrimit). Për këtë arsye, shkrimtarët e tjerë me të cilët ndërveproj në këtë libër, janë kryesisht përbrenda asaj që sot quhet tradita e gjerë “ungjillore konservatore”, duke ia nisur nga reformatorët e mëdhenj Xhon Kalvin (John Calvin) dhe Martin Luter (Martin Luther), deri te shkrimet e studiuesve ungjillorë të sotëm. Unë shkruaj si Ungjillor për Ungjillorët. Kjo nuk do të thotë se ata shkrimtarë në traditën liberale nuk kanë asgjë të dobishme për të thënë; thjesht do të thotë se mospërputhjet me ta gati gjithnjë përmblidhen në mospërputhje mbi natyrën e Biblës dhe të autoritetit të saj. Masa e njëmendësisë doktrinare që mund të arrihet nga njerëz me bazë të gjerë kundërshtuese të autoritetit të Biblës, është tepër e kufizuar. Unë jam mirënjohës për miqtë e mi Ungjillorë të cilët shkruajnë kritika të gjera mbi teologjinë liberale, por nuk mendoj se të gjithë janë thirrur për pikërisht këtë gjë, apo se një analizë gjithëpërfshirëse e pikëpamjeve liberale është mënyra më ndihmuese për të ndërtuar një sistem pozitiv teologjie të bazuar mbi vërtetësinë totale të të gjithë Biblës. Në fakt, është pak a shumë si djaloshi në përrallën e  Hans Kristian Andersenit i cili bërtiti: “Perandori është pa rroba!” Mendoj se dikush duhet të thotë se si zor teologët liberalë na kanë dhënë ndonjë të kuptuar të thellë domethënës në mësimet doktrinare të Shkrimit që nuk gjendet tashmë në shkrimtarët ungjillorë.

Nuk është se gjithnjë çmohet se bota e hulumtimeve Ungjillore konservatore është kaq e pasur dhe e larmishme saqë të lejon mundësi të gjera për eksplorimin e të kuptuarit të thellë dhe të pikëpamjeve të ndryshme të Shkrimit. Mendoj se në fund të fundit do të arrijmë më shumë thellësi të kuptuari të Shkrimit kur të jemi në gjendje ta studiojmë atë në shoqërinë e një numri të shumtë studiuesish të cilët pikënisjen të gjithë e kanë tek bindja se Bibla është tërësisht e vërtetë dhe absolutisht autoritare. Referencat kryq ndaj tridhjetë e katër teologjive të tjera ungjillore sistematike që kam vendosur në fund të secilit kapitull, pasqyrojnë këtë bindje: edhe pse ato ndahen në shtatë tradita të gjera teologjike (Anglikane/Episkopale, Arminiane/Uesliane/Metodiste, Baptiste, Dispensacionale, Luterane, e Reformuar/Presbiteriane, dhe Ripërtëritja/Karismatike/Pentakostale), ato të gjitha i përmbahen pagabueshmërisë së Biblës dhe i përkasin asaj që sot do të quhet një pikëpamje ungjillore konservatore. (Përveç këtyre tridhjetë e katër veprave ungjillore konservatore, kam shtuar në çdo kapitull dhe një seksion referencash kryq për dy teologji përfaqësuese Katolike Romake, sepse Katolicizmi Romak vazhdon të ushtrojë një ndikim kaq të rëndësishëm në mbarë botën.)

5. Shpresë për progres në unitetin doktrinar në kishë. Besoj se ka ende shumë shpresa që kisha të arrijë të kuptojë më thellë dhe më pastër doktrinat dhe të kapërcejë pengesat e vjetra, madje edhe ato që kanë vazhduar për shekuj me radhë. Jezusi punon për të përsosur kishën e Vet “që ta paraqesë atë përpara vetes së Tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha, a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efe. 5:27), dhe Ai ka dhënë dhurata për ta pajisur kishën “derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë” (Efe. 4:13). Edhe pse historia e shkuar e kishës mund të na shkurajojë, këto Shkrime mbeten të vërteta dhe ne nuk duhet ta braktisim shpresën për pajtim më të madh. Në të vërtetë, në këtë shekull tashmë kemi parë një kuptueshmëri më të thellë dhe pajtime më të mëdha doktrinare midis teologëve të Besëlidhjes dhe atyre Dispensacionalë  dhe midis atyre karizmatikë dhe jo karizmatikë; për më tepër, mendoj që edhe kuptimi i kishës për temën e pagabueshmërisë biblike dhe për atë të dhuntive frymërore është shtuar së tepërmi në dekadat e fundit. Besoj se debati i tanishëm mbi rolet e duhura për burrat dhe gratë në martesë dhe në kishë, në të ardhmen do të rezultojë në një kuptueshmëri më të thellë të asaj që Shkrimi na mëson për këtë temë, sado e dhimbshme mund të jetë kjo polemikë sot. Për rrjedhojë, në këtë libër nuk kam ngurruar të ngre përsëri disa nga mosmarrëveshjet e vjetra (si për shembull, për pagëzimin, Darkën e Zotit, qeverisjen e kishës, mijëvjeçarin, mundimin e madh, si dhe paracaktimin) me shpresën se, të paktën në disa raste, një vështrim i ri tek Shkrimi mund të nxisë një shqyrtim të ri të këtyre doktrinave dhe mbase të frymëzojë disa lëvizje jo thjesht drejt të kuptuarit dhe tolerancës më të madhe ndaj pikëpamjeve të tjera, por drejt një njëmendësie më të madhe doktrinare në kishë.

6. Ndjenja e një nevoje urgjente për një kuptueshmëri më të thellë doktrinore në të gjithë kishën. Jam i bindur se sot në kishë ka nevojë urgjente për një kuptim më të thellë të doktrinës së krishterë, ose të teologjisë sistematike. Jo vetëm pastorët dhe mësuesit kanë nevojë ta kuptojnë teologjinë më thellë, por edhe e gjithë kisha. Një ditë, me anë të hirit të Perëndisë, mund të kemi kisha plot me të krishterë që mund të diskutojnë, zbatojnë dhe të jetojnë mësimet doktrinare të Biblës po aq lehtësisht sa diskutojnë detajet e punës ose të hobeve të tyre, ose gjendjen e skuadrave të sportit ose të programeve të tyre të parapëlqyera televizive. Kjo nuk do të thotë se të krishterëve u mungon aftësia për të kuptuar doktrinën; thjesht do të thotë se ata duhet të kenë akses në të në një mënyrë më të kuptueshme. Me të ndodhur kjo gjë, mendoj se shumë të krishterë do të zbulojnë se të kuptuarit (dhe të jetuarit) e doktrinave të Shkrimit, është një nga gëzimet e tyre më të mëdha.

Shumë njerëz më kanë ndihmuar në shkrimin e këtij libri. Së pari duhet të përmend studentët e mi, të mëparshëm dhe të tashëm, si në kolegjin Bethel në St. Paul, Minesota (1977-1981), dhe më pas në Shkollën Teologjike Ungjillore Trinity (1981-tani). Ndihmesat e tyre të kujdesshme, dhe të thelluara gjatë diskutimeve në klasë, kanë ndikuar tek çdo kapitull i këtij libri.

Perëndia më ka bekuar me ndihmesën nga disa radhitës shumë të aftë. Radhitja e dorëshkrimeve të mia, filloi disa vjet më parë nga Sherry Kull. Më vonë radhitën disa pjesë, Mary Morris, Ron Tilley, Kathryn Sheehan, Shelly Mills, Rebecca Heidenreich, Jenny Hart, dhe Carol Pederson. Më pas, pjesa më e madhe e dorëshkrimit u radhit me aftësi dhe përkujdesje të madhe nga Tammy Thomas, e cila më ndihmoi edhe me ca redaktime. Andi Ledesma dhe Joyce Leong plot me gëzim ndihmuan shumë herë me fotokopjimet. Së fundmi, Kim Pennington radhiti me besnikëri dhe saktësi korrigjimet dhe ndryshimet e shumta që ndodhën gjatë procesit redaktorial. U jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën e tyre.

John O. Stevenson bëri një punë të shkëlqyer në përpilimin e bibliografive dhe Don Rothwell përfundoi një pjesë të madhe të referencave kryq me tekstet e tjera teologjike. H. Scott Baldwin, Tom Provenzola dhe Mark Rapinchuk dhanë ndihmesë të madhe në korrektim dhe në kërkimin në bibliotekë. Mark Rapinchuk përpiloi edhe indeksin e autorëve si dhe referencat e Shkrimit. Beth Manley dha ndihmë të vyer në korrektim. George Knight III, Robert Reymond, Harold Hoehner, Robert Saucy, Doug Moo, Tom Nettles, Tom McComiskey, Doug Halsne, Steve Nicholson, Doug Brandt, Steve Figard, Gregg Allison, Ellyn Clark dhe Terry Mortenson bënë komente të hollësishme mbi pjesë të ndryshme të librit. Raymond Dillard përzemërsisht më siguroi një tekst në formë kompjuterike të Rrëfimit të Besimit të Uestminsterit. Bruce Shauger zgjidhi disa herë problemet e mia me kompjuterin dhe Tim McLaughlin riparoi kompjuterin tim në një kohë kritike. Miku im i kahershëm John Hughes më dha disa herë këshilla të nevojshme mbi kompjuterët dhe botimin e dorëshkrimit. Edhe djemtë e mi dhanë ndihmesën e tyre kur afatet u afruan: Elioti me kërkimin në bibliotekë dhe  Oliveri e Aleksandri (dhe miku i Aleksandrit, Matt Tooley) me përpilimin dhe korrigjimin e indeksve.

Në arritjen e formës përfundimtare të këtij libri, një person pati ndikim më të madh se kushdo tjetër: Redaktori i Librave Teologjikë, te Inter-Varsity Press, Angli, David Kingdon, dha ndihmesën e tij përtej pritshmërive të mia në punën e tij si një redaktor i mprehtë, i ndërgjegjshëm dhe i mençur. Ai shqyrtoi me kujdes të madh çdo kapitull, duke sugjeruar korrigjime, shtesa, dhe heqje nga teksti dhe duke ndërvepruar me argumentet e mia në letërkëmbimet e zgjatura. Njohuria e tij e gjerë mbi teologjinë, studimet biblike dhe historinë e doktrinës, ka patur një vlerë të pamatë për mua dhe libri ka dalë shumë më mirë si rezultat i punës së tij. Për më tepër, Frank Entwistle i Inter-Varsity Press dhe Stan Gundry, Jim Ruark, dhe Laura Weller të Zondervan-it, kanë qenë të hirshëm dhe të duruar me mua për shumë detaje të botimit të librit.

Këtë vepër nuk do mund ta kisha përfunduar pa dhënien me bujari të lejeve të krijimtarisë nga Trinity Evangelical Divinity School në vjeshtën e vitit 1983, në vjeshtën e vitit 1985, në dimër të vitit 1989 dhe në vjeshtën e vitit 1991. Gjithashtu, i jam mirënjohës bordit të drejtorëve të Trinity që më dhanë këtë kohë për të shkruar. Jam shumë mirënjohës edhe për mbështetjen e prindërve të mi, Arden dhe Jean Grudem, të cilët siguruan ndihmë financiare me bujari, gjë që më dha mundësinë të shkruaj gjatë këtyre kohëve dhe kohëve të tjera. Ata ishin një inkurajim i pandërprerë për mua përgjatë këtij udhëtimi, me lutjet e tyre si dhe me besimin e tyre të patundur se një libër i tillë, i shkruar në gjuhë jo teknike me qëllim që ata si dhe mijëra të krishterë si ata të mund ta kuptonin, do të ishte i dobishëm për kishën.

Mendoj se gati të gjithë që më njihnin u lutën për këtë projekt në një kohë apo tjetër, në veçanti studentët konsulentë të mi gjatë disa viteve te Trinity dhe shumë nga miqtë e mi në kishën ku shkoj. Shpesh kam qenë i vetëdijshëm për ndihmesën nga Zoti si përgjigje për ato lutje, i Cili më ka dhënë shëndet dhe forcë, mundësi për të mos u shpërqendruar, si dhe dëshirë të patundur për ta përfunduar librin.

Më së shumti, jam mirënjohës për mbështetjen e gruas sime Margaret, dhe të djemve të mi, Elliot, Oliver dhe Alexander. Ata ishin të duruar dhe inkurajues, u lutën për mua dhe më deshën dhe vazhdojnë të jenë burim i madh gëzimi në jetën time, gjë për të cilën falënderoj Perëndinë.

Jam i sigurt se ky libër, në ngjashmëri me të gjithë librat që janë vetëm njerëzorë, ka gabime dhe pakujdesi e mbase dhe disa argumente të gabuara. Po ta dija se ku janë, do të përpiqesha t’i korrigjoja! Për rrjedhojë do të isha mirënjohës nëse ndonjë lexues i interesuar do të më dërgonte sugjerime për ndryshime dhe korrigjime. Nuk mund t’ju siguroj se mund të marr parasysh çdo letër, por do t’i kushtoj vëmendjen e duhur materialit në secilën syresh, dhe do të bëj korrigjime ku të kem mundësi.

Kremtoni Zotin, sepse Ai është i mirë, sepse mirësia e Tij vazhdon përjetë”. (Ps. 118:29).

Jo neve o Zot, jo neve, por emrit Tënd jepi lavdi”. (Ps. 115:1).

Wayne Grudem
Trinity Evangelical Divinity School
2065 Half Day Road
Deerfield, Illinois 60015
USA


Hyrje

Kapitulli 1

Hyrje në teologjinë sistematike

Çfarë është teologjia sistematike? Përse duhet ta studiojnë të krishterët? Si duhet ta studiojmë atë?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Përkufizimi i teologjisë sistematike

Çfarë është teologjia sistematike? Janë dhënë shumë përkufizime të ndryshme, por për qëllimet e këtij libri do të përdoret përkufizimi vijues: Teologji sistematike është çdo studim që i jep përgjigje pyetjes: “Çfarë na mëson sot e gjithë Bibla?”, për çfarëdo teme.[1]1

Ky përkufizim tregon se teologjia sistematike përfshin mbledhjen dhe kuptimin e të gjitha pasazheve Biblike në të cilat bëhet fjalë për tema të ndryshme, dhe më pas përmbledhjen e mësimeve të tyre në mënyrë të qartë me qëllim që të dimë se çfarë të besojmë për secilën temë.

1. Marrëdhënia me disiplinat e tjera. Për rrjedhojë, theksi i këtij libri nuk do të jetë mbi teologjinë historike (studimi historik se si të krishterët në periudha të ndryshme kanë kuptuar tema të ndryshme teologjike) ose teologjinë filozofike (studimi i temave teologjike kryesisht pa përdorur Biblën, por duke përdorur mjete dhe metoda të arsyetimit filozofik dhe çfarë mund të mësohet për Perëndinë nga vrojtimi i universit) ose apologjetikën (sigurimi i mbrojtjes së vërtetësisë së besimit të krishterë me qëllim bindjen e jobesimtarëve). Këto tre tema, të cilat janë të dobishme të ndiqen nga të krishterët, nganjëherë përfshihen në një përkufizim më të gjerë të termit teologji sistematike. Në fakt, gjykimi i çështjeve historike, filozofike dhe apologjetike, do të haset në çështje të ndryshme përgjatë gjithë këtij libri. Kjo për shkak se studimi historik na jep të dhëna për njohurinë e thellë të fituar dhe gabimet e bëra nga të tjerët më parë në të kuptuarit e Shkrimit. Studimi filozofik na ndihmon të kuptojmë trajtat e mendimit të duhur dhe jo të duhur që janë të zakonshme në kulturën tonë si dhe kulturat e tjera; ndërsa studimi apologjetik na ndihmon të parashtrojmë mësimet e Shkrimit për t’u dhënë përgjigje kundërshtimeve të ngritura nga jobesimtarët. Por, këto fusha studimore nuk janë fokusi i këtij vëllimi, i cili më shumë bashkëvepron drejtpërdrejtë me tekstin biblik me qëllimin për të kuptuar atë që vetë Bibla na thotë për tema të ndryshme teologjike.

Nëse dikush parapëlqen të përdorë termin teologji sistematike në kuptimin më të gjerë të sapo përmendur në vend të kuptimit të ngushtë që u përkufizua më sipër, nuk do të ketë ndryshim shumë të madh.[2]2 Ata që përdorin  përkufizimin më të ngushtë, do të bien dakord se pa dyshim fusha të tjera studimi ndihmojnë padyshim në mënyrë pozitive për kuptimin tonë të teologjisë sistematike dhe ata që përdorin përkufizimin e gjerë, sigurisht që do të pranonin se teologjia historike, teologjia filozofike dhe apologjetika, mund të dallohen nga procesi i mbledhjes dhe sintezës së të gjitha pasazheve të përshtatshme të Shkrimit për tema të ndryshme. Për më tepër, edhe pse studimet historike dhe filozofike ndihmojnë tek mënyra se si ne kuptojmë çështjet teologjike, vetëm Shkrimi ka autoritetin përfundimtar për të përkufizuar atë që duhet të besojmë[3]3 dhe për rrjedhojë është e përshtatshme të kalosh kohë duke u përqendruar në procesin e analizimit të mësimit të vetë Shkrimit.

Teologjia sistematike, sipas përkufizimit tonë, ndryshon edhe nga teologjia e Besëlidhjes së Vjetër, teologjia e Besëlidhjes së Re dhe teologjia biblike. Këto tre disiplina i organizojnë temat e tyre historikisht dhe në rendin e temave që janë paraqitur në Bibël. Për rrjedhojë, në teologjinë e Besëlidhjes së Vjetër, dikush mund të bëjë pyetjet: “Çfarë mëson “Ligji i Përtërirë” për lutjen”? ose “Çfarë mësojnë “Psalmet” për lutjen”? ose “Çfarë mëson “Isaia” për lutjen”? ose edhe “Çfarë mëson e gjithë Besëlidhja e Vjetër për lutjen dhe si zhvillohet ai mësim gjatë historisë së Besëlidhjes së Vjetër”? Në teologjinë e Besëlidhjes së Re dikush mund të bëjë pyetjet: “Çfarë mëson ungjilli sipas Gjonit për lutjen”? ose “Çfarë mëson Pali për lutjen”? ose edhe “Çfarë mëson Besëlidhja e Re për lutjen dhe cili është zhvillimi historik i atij mësimi ndërkohë që përparon përgjatë Besëlidhjes së Re?”.

“Teologjia biblike” ka një kuptim teknik në studimet teologjike. Ajo është kategoria më e gjerë që përmban edhe teologjinë e Besëlidhjen së Vjetër edhe teologjinë e Besëlidhjes së Re ashtu siç e kemi përkufizuar më sipër. Teologjia biblike i kushton vëmendje të veçantë mësimeve të autorëve individualë dhe pjesëve të Shkrimit dhe për ta vendosur secilin mësim në zhvillimin historik të Shkrimit.[4]4 Kështu që dikush mund të pyesë: “Cili është zhvillimi historik i mësimit për lutjen ashtu siç vërehet gjatë gjithë historisë së Besëlidhjes së Vjetër dhe më pas të Besëlidhjes së Re”? Pa dyshim, që kjo pyetje i afrohet së tepërmi pyetjes: “Çfarë na mëson e gjithë Bibla sot për lutjen”? (gjë që do të ishte teologji sistematike sipas përkufizimit tonë). Atëherë bëhet e qartë se kufiri midis këtyre disiplinave të ndryshme shpesh mbivendoset në skaje, dhe pjesë të një studimi përzihen me një tjetër. Megjithëkëtë, përsëri ka një dallim, sepse teologjia biblike e ndjek zhvillimin historik të një doktrine dhe mënyrën në të cilën vendi i dikujt në një pikë të atij zhvillimi historik e ndikon të kuptuarin dhe zbatimin e asaj doktrine të veçantë. Teologjia biblike përqendrohet edhe në të kuptuarin e çdo doktrine që kishin autorët biblikë dhe dëgjuesit e lexuesit e tyre të asokohe.

Nga ana tjetër, teologjia sistematike, përdor materiale nga teologjia biblike dhe shpesh ndërton mbi rezultatet e teologjisë biblike. Në disa çështje, në veçanti kur nevojiten shumë hollësi dhe kujdes në zhvillimin e një doktrine, teologjia sistematike do të përdorë madje edhe një metodë teologjike biblike, duke analizuar zhvillimin e çdo doktrine përgjatë zhvillimit historik të Shkrimit. Por fokusi i teologjisë sistematike, mbetet i ndryshëm: fokusi i saj është mbledhja dhe më pas përmbledhja e mësimit të të gjitha pasazheve biblike për një temë të caktuar. Kështu për shembull, teologjia sistematike bën pyetjen: “Çfarë na mëson sot e gjithë Bibla për lutjen”? Përpiqet të përmbledhë mësimin e Shkrimit në një deklaratë të shkurtër, të kuptueshme dhe të formuluar me shumë kujdes.

2. Zbatimi për jetën. Për më tepër, teologjia sistematike përqendrohet në përmbledhjen e çdo doktrine ashtu siç duhet kuptuar nga të krishterët e sotëm. Kjo gjë nganjëherë përfshin përdorimin e termave dhe madje të koncepteve të cilat nuk u përdorën nga ndonjë autor i veçantë biblik, por që janë rezultati i duhur i ndërthurjeve të dy apo më shumë autorëve biblikë mbi një temë të caktuar. Për shembull, termat Trini, mishërim, dhe hyjnia e Krishtit, nuk gjenden në Bibël, por në mënyrë të dobishme ato përmbledhin konceptet biblike.

Përkufizimi i teologjisë sistematike për të përfshirë “Çfarë na mëson sot e gjithë Bibla” nënkupton se zbatimi për jetën është një pjesë e nevojshme e shfrytëzimit të duhur të teologjisë sistematike. Kështu, një doktrinë nën shqyrtim, shihet në lidhje me vlerën e saj praktike për të jetuarit e jetës së krishterë. Në Shkrim nuk gjejmë askund ndonjë doktrinë të studiuar vetëm për hir të studimit të saj ose të trajtuar shkëputur nga jeta. Shkrimtarët biblikë zbatojnë vazhdimisht mësimin e tyre për jetën. Për rrjedhojë, çdo i krishterë që lexon këtë libër, duhet ta gjejë jetën e tij ose të saj të krishterë të pasuruar dhe të thelluar gjatë këtij studimi; në të vërtetë, nëse nuk ndodh rritja personale frymërore, atëherë libri nuk është shkruar si duhet nga autori ose materiali nuk është studiuar si duhet nga lexuesi.

3. Teologjia sistematike dhe teologjia e çorganizuar. Nëse përdorim këtë përkufizim të teologjisë sistematike, do të vërehet se shumica e të krishterëve në të vërtetë bëjnë teologji sistematike (ose të paktën japin deklarata teologjiko-sistematike) shumë herë gjatë një jave. Për shembull: “Bibla thotë se kushdo që beson në Jezus Krishtin do të shpëtohet”. “Bibla thotë se Jezus Krishti është udha e vetme për te Perëndia”. “Bibla thotë se Jezusi do të vijë përsëri”. Këto janë të gjitha përmbledhje të asaj që thotë Shkrimi dhe si të tilla, ato janë pohime teologjiko-sistematike. Në fakt, çdo herë që një i krishterë thotë diçka për atë që thotë e gjithë Bibla, ai ose ajo në një kuptim, është duke bërë “teologji sistematike, sipas përkufizimit tonë të saj, duke menduar për tema të ndryshme dhe duke i dhënë përgjigje pyetjes: “Çfarë na mëson sot e gjithë Bibla?”.[5]5

Atëherë ku qëndron ndryshimi i këtij libri nga “teologjia sistematike” sipas të cilës veprojnë shumica e të krishterëve? Së pari, ky i trajton temat biblike në një mënyrë të organizuar me kujdes, për të garantuar kësisoj që të gjitha temat e rëndësishme do të marrin shqyrtim të plotë. Ky organizim siguron dhe një filtër kundër analizave të pasakta të temave të veçanta, sepse do të thotë se të gjitha doktrinat e tjera që trajtohen mund të krahasohen me secilën temë për të parë përputhshmërinë në metodologji dhe mungesë kundërthëniesh në marrëdhënien midis doktrinave. Kjo ndihmon dhe për të siguruar shqyrtim të drejtpeshuar të doktrinave plotësuese: hyjnia dhe njerëzorja e Krishtit studiohen së bashku, për shembull, ashtu sikurse studiohen bashkë sovraniteti i Perëndisë dhe përgjegjësia e njeriut, me qëllim që të mos dilet në përfundimet e gabuara nga një theksim i pa drejtpeshuar i vetën një aspekti të tablosë së plotë biblike.

Në të vërtetë, mbiemri sistematik në teologjinë sistematike duhet kuptuar se nënkupton diçka si “të organizuar me kujdes në tema”, duke kuptuar me këtë se temat e studiuara do të duken të përputhshme në mënyrë të qëndrueshme dhe do të përfshijnë të gjitha temat parësore doktrinare të Biblës. Kështu, “sistematike” duhet menduar si e kundërta e “vendosjes rastësore” ose “e të çorganizuarës”. Në teologjinë sistematike, temat trajtohen në mënyrë të rregullt ose “sistematike”.

Një ndryshim i dytë midis këtij libri dhe mënyrës se si shumica e të krishterëve bëjnë teologji sistematike, është se ky i trajton temat me më shumë detaje nga sa bëjnë shumica e të krishterëve. Për shembull, një i krishterë i zakonshëm, si rezultat i leximit të rregullt të Biblës mund të shprehë pohimin teologjik: “Bibla thotë se çdokush që beson në Jezus Krishtin do të shpëtohet”. Ky pohim është një përmbledhje tërësisht e vërtetë e një mësimi kryesor biblik. Megjithëkëtë, në këtë libër ne i kushtojmë disa faqe shtjellimit më me saktësi të asaj se çfarë do të thotë të “besosh në Jezus Krishtin”[6]6 dhe dymbëdhjetë kapituj (kapitujt 32–43) do t’i kushtohen shpjegimit se çfarë do të thotë të “jesh i shpëtuar” në të gjitha nënkuptimet e shumta të atij termi.

Së treti një studim formal i teologjisë sistematike do ta bëjë të mundur të formulosh përmbledhje të mësimeve biblike me shumë më tepër saktësi nga sa arrijnë të bëjnë zakonisht të krishterët pa një studim të tillë. Në teologjinë sistematike, përmbledhjet e mësimeve biblike duhet të shprehen me saktësi për t’u ruajtur nga keqkuptimet dhe për të përjashtuar mësimet e rreme.

Së katërti, një analizë e mirë teologjike duhet të gjejë dhe të trajtojë me paanësi të gjitha pasazhet përkatëse të Biblës për çdo temë të veçantë, jo vetëm për disa ose pak nga pasazhet përkatëse. Shpesh kjo gjë do të thotë se duhet të mbështetet në rezultatet e një ekzegjeze (ose të interpretimit) të kujdesshme të Shkrimit zakonisht të pranuar nga interpretues Ungjillorë, ose aty ku ka ndryshime të ndjeshme për sa i takon interpretimit, teologjia sistematike do të përfshijë ekzegjezë të hollësishme në çështje të caktuara.

Për shkak të numrit të shumtë të temave për të cilat bëhet fjalë në studimin e teologjisë sistematike dhe për shkak të detajeve të shumta me të cilat analizohen këto tema, është e pashmangshme që për dikë që studion një tekst teologjie sistematike ose që ndjek për herë të parë një kurs në teologji sistematike, shumë nga besimet e tij ose të saj vetjake do të vihen në pikëpyetje ose do të modifikohen, do të rafinohen ose pasurohen. Për rrjedhojë është tepër e rëndësishme që kushdo që merr një rrugë të tillë, të vendosë në mënyrë të patundur në mendjen e tij ose të saj të braktisë si të rreme çdo ide që bie në kundërshtim të hapur me mësimin e Shkrimit. Por është shumë e rëndësishme që çdokush të marrë vendimin të mos besojë ndonjë doktrinë individuale vetëm sepse ky tekst shkollor ose ndonjë tjetër, apo ndonjë mësues thotë se është e vërtetë, po qe se ky libër ose mësuesi i një klase (teologjie) nuk mund ta bindë studentin nga teksti i vetë Shkrimi për këtë. Është vetëm Shkrimi, jo “tradita konservatore ungjillore” apo ndonjë autoritet tjetër njerëzor, që duhet të veprojë si autoriteti përcaktues për përkufizimin e asaj që duhet të besojmë.

4. Çfarë Janë Doktrinat? Në këtë libër, fjala doktrinë do të kuptohet në mënyrën vijuese: Një doktrinë është ajo gjë që e gjithë Bibla na mëson sot për një temë të veçantë. Ky përkufizim ka të bëjë drejtpërdrejtë me përkufizimin tonë të mëparshëm të teologjisë sistematike, meqë tregon se një “doktrinë” është thjesht rezultati i bërjes së teologjisë sistematike duke pasur parasysh një temë të veçantë. Të kuptuara në këtë mënyrë, doktrinat mund të jenë tepër të gjera ose të ngushta. Mund të flasim për “doktrinën e Perëndisë” si një kategori parësore doktrinare, duke përfshirë një përmbledhje të gjithçkaje që Bibla na mëson sot për Perëndinë. Një doktrinë e tillë do të ishte jashtëzakonisht e gjerë. Nga ana tjetër, mund të flasim edhe më ngushtësisht për doktrinën e përjetësisë së Perëndisë, ose doktrinën  e Trinisë, ose doktrinën e drejtësisë së Perëndisë.[7]7

Ky libër ndahet në shtatë ndarje parësore sipas shtatë “doktrinave” parësore ose fushave të studimit:

Pjesa 1: Doktrina e Fjalës së Perëndisë

Pjesa 2: Doktrina e Perëndisë  

Pjesa 3: Doktrina e Njeriut

Pjesa 4: Doktrina e Krishtit dhe Frymës së Shenjtë

Pjesa 5: Doktrina e Zbatimit të Shpengimit

Pjesa 6: Doktrina e Kishës  

Pjesa 7: Doktrina e së Ardhmes

Përbrenda secilës prej këtyre kategorive parësore doktrinare janë zgjedhur akoma më shumë mësime specifike si të duhura për t’u përfshirë. Në përgjithësi ato përmbushin të paktën një nga tre kriteret e mëposhtme: (1) janë doktrina që theksohen më së shumti në Shkrim; (2) janë doktrina që kanë qenë tepër domethënëse gjatë gjithë historisë së kishës dhe kanë qenë të rëndësishme për të gjithë të krishterët në të gjitha kohërat; (3) janë doktrina që u bënë të rëndësishme për të krishterët në kohën e tashme në historinë e kishës (edhe pse disa prej këtyre doktrinave mund të mos kishin pasur një interes kaq të madh më herët në historinë e kishës). Disa shembuj të doktrinave të kategorisë së tretë do të ishin doktrina e pagabueshmërisë së Shkrimit, doktrina e pagëzimit me Frymën e Shenjtë, doktrina e Satanit dhe demonëve lidhur në veçanti me luftën frymërore, doktrinën e dhuntive frymërore në epokën e Besëlidhjes së Re dhe doktrinën e krijimit të njeriut si burrë e grua sa i përket të kuptuarit të roleve të duhur të burrave dhe grave sot. Për shkak të lidhjes së tyre me rrethanat bashkëkohore, doktrina të tilla si këto, janë theksuar më shumë në këtë vëllim të tanishëm sesa në shumicën e teksteve shkollorë tradicionalë të teologjisë sistematike.

Së fundi, cili është dallimi mes teologjisë sistematike dhe etikës së krishterë? Edhe pse është e pashmangshme një mbivendosje midis studimit të teologjisë dhe atij të etikës, jam përpjekur të ruaj dallimin në theksimin e secilës. Theksi i teologjisë sistematike është në atë që Perëndia do që ne të besojmë dhe të dimë, ndërkohë që theksi në etikën e krishterë është tek ajo që Perëndia dëshiron që të bëjmë dhe tek sjelljet që Ai dëshiron që të kemi. Një dallim i tillë reflektohet në përkufizimin e mëposhtëm: etika e krishterë është çdo studim që i përgjigjet pyetjes: “Çfarë na kërkon Perëndia të bëjmë dhe çfarë sjelljesh kërkon Ai të kemi sot?”, për sa i përket çdo situate të dhënë. Kështu teologjia përqendrohet në ide ndërsa etika përqendrohet në situatat e jetës. Teologjia na tregon se si duhet të mendojmë ndërsa etika se si duhet të jetojmë. Për shembull, një tekst shkollor për etikën do të trajtonte tema si martesa dhe divorci, të gënjesh dhe të thuash të vërtetën, të vjedhësh dhe zotërimi i pronës, aborti, kontrolli i lindjeve, homoseksualizmi, roli i qeverisë civile, disiplinimi i fëmijëve, ndëshkimi kapital, lufta, përkujdesja për të varfrit, diskriminimi racor e kështu me radhë. Pa dyshim që ka mbivendosje: teologjia duhet zbatuar në jetë (për rrjedhojë shpesh është etike deri në një farë shkalle). Dhe etika duhet të bazohet në idetë e duhura, në idetë rreth Perëndisë dhe botës së Tij (për rrjedhojë, është teologjike deri në një farë mase).

Ky libër do të theksojë teologjinë sistematike, edhe pse nuk do të ngurrojë të zbatojë teologjinë për jetën aty ku një zbatim i tillë bëhet me lehtësi. Gjithsesi, për një trajtim tërësor të etikës së krishterë, do të ishte i nevojshëm një tjetër libër shkollor i ngjashëm me këtë në qëllim.

B. Supozimet fillestare të këtij libri

E fillojmë me dy hipoteza ose presupozime: (1) që Bibla është e vërtetë dhe se në fakt, është standardi ynë i vetëm absolut i të vërtetës; (2) që Perëndia për të Cilin flitet në Bibël ekziston dhe se Ai është Ai i Cili Bibla thotë se Ai është: Krijuesi i qiellit dhe tokës dhe gjithë gjërave në to. Pa dyshim që këto dy presupozime janë gjithnjë të hapura ndaj përshtatjes, modifikimit ose vërtetimit të mëtejshëm e më të thellë, por në këtë pikë, këto dy presupozime përbëjnë çështjen nga e cila ne kemi pikënisjen.

C. Përse duhet ta studiojnë të krishterët teologjinë?

Përse duhet ta studiojnë të krishterët teologjinë sistematike? Domethënë, përse duhet të angazhohemi në procesin e mbledhjes dhe të përmbledhjes së mësimeve të shumë pasazheve të veçanta të Biblës mbi tema të veçanta? Përse nuk është e mjaftueshme që të kënaqemi me thjesht leximin rregullisht të Biblës çdo ditë të jetës tonë?

1. Arsyeja themelore. Shumë përgjigje i janë dhënë kësaj pyetjeje, por shumë shpesh ato të lënë përshtypjen se teologjia sistematike në një farë mënyre mund të “përmirësojë” Biblën duke bërë një punë më të mirë në organizimin e mësimeve të saj ose duke i shpjeguar ato me më shumë qartësi nga sa i ka sqaruar vetë Bibla. Kështu mund të fillojmë në mënyrë të nënkuptuar të mohojmë qartësinë e Shkrimit (shih kapitullin 6) ose mjaftueshmërinë e Shkrimit (shih kapitullin 8).

Megjithëkëtë, Jezusi i urdhëroi dishepujt e Vet dhe tani na urdhëron edhe ne, t’i mësojmë besimtarët t’i zbatojnë të gjitha ato që Ai urdhëroi:

Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. (Mat. 28:19–20)

Tani, të mësosh të gjitha sa Jezusi urdhëroi, në një kuptim të ngushtë, thjesht do të thotë të mësosh përmbajtjen e mësimeve gojore të Jezusit ashtu si janë regjistruar në tregimet e ungjillit. Megjithëkëtë, në një kuptim më të gjerë, “të gjitha sa urdhëroi Jezusi” përfshin interpretimin dhe zbatimin e jetës dhe mësimeve të Tij, sepse në librin e “Veprave të Apostujve” lihet të kuptohet se ajo përmban një tregim të asaj që Jezusi vazhdoi të bëjë dhe të mësojë përmes apostujve pas ringjalljes së Tij (vini re se 1:1 flet për “të gjitha gjërat që Jezusi nisi edhe të bëjë edhe të mësojë”). “Të gjitha sa Jezusi urdhëroi” mund të përfshijë edhe Letrat (e shkruara për kishat), meqë ato u shkruan nën mbikëqyrjen e Frymës së Shenjtë dhe u konsideruan të ishin një “urdhërim i Zotit” (1 Kor. 14:37; shih dhe Gjoni 14:26; 16:13; 1 The. 4:15; 2 Pjetrit 3:2; dhe Zbu. 1:1–3). Kështu, në një kuptim më të gjerë, “Të gjitha sa Jezusi urdhëroi” përfshin të gjithë Besëlidhjen e Re.

Për më tepër, kur marrin parasysh se Shkrimet e Besëlidhjes së Re miratojnë besimin absolut që Jezusi kishte në autoritetin dhe besueshmërinë e Shkrimit të Besëlidhjes së Vjetër si fjalët e Perëndisë (shih kapitullin 4) dhe kur kuptojmë se dhe letrat e Besëlidhjes së Re miratojnë këtë pikëpamje të Besëlidhjes së Vjetër si fjalët absolutisht autoritare të Perëndisë, atëherë bëhet e dukshme se nuk mund të mësojmë “të gjitha sa urdhëroi Jezusi” pa përfshirë dhe të gjithë Besëlidhjen e Vjetër (e kuptuar në mënyrën e drejtë në mënyrat e ndryshme në të cilat zbatohet për kohën e besëlidhjes së re në historinë e shpengimit).

Për rrjedhojë, detyra e përmbushjes së Porosisë së Madhe,  përfshin jo vetëm ungjillëzimin por dhe mësimin. Gjithashtu, detyra e mësimit të të gjithave sa na urdhëroi Jezusi është, në një kuptim të gjerë, detyra e mësimit ndaj të tjerëve, të të gjithave sa na thotë Bibla sot. Për të mësuar efektivisht veten dhe për t’u mësuar të tjerëve se çfarë thotë e gjithë Bibla, është e nevojshme të mbledhim dhe të përmbledhim të gjitha pasazhet e Shkrimit mbi një temë të caktuar.

Për shembull, nëse dikush më pyet: “Çfarë mëson Bibla rreth kthimit të Krishtit”? Unë mund të them: “Thjesht vazhdo të lexosh Biblën tënde dhe do ta gjesh vetë”. Por nëse ai apo ajo që bëri pyetjen fillon të lexojë te “Zanafilla” 1:1 do të kalojë një kohë e gjatë përpara se të gjejë përgjigjen e pyetjes së vet. Deri atëherë, shumë pyetje të tjera do të kenë nevojë për përgjigje dhe lista e tij e pyetjeve të pa përgjigjura do të fillojë të bëhet me të vërtetë shumë e gjatë. Çfarë na mëson Bibla për veprën e Frymës së Shenjtë? Çfarë na mëson Bibla për lutjen? Çfarë na mëson Bibla për mëkatin? Thjesht nuk ka mjaftueshëm kohë në jetën tonë për të lexuar të gjithë Biblën në kërkim të një përgjigjeje të vetme për çdo herë që ngrihet një pyetje doktrinare. Për rrjedhojë, që të mësojmë atë që thotë Bibla, është shumë ndihmuese të kesh përfitimin e punës së të tjerëve që kanë kërkuar Shkrimin dhe kanë gjetur përgjigjet e këtyre temave të ndryshme.

Ne mund t’i mësojmë të tjerët më efektivisht nëse mund t’i drejtojmë ata në pasazhet më të përshtatshme dhe të sugjerojmë një përmbledhje të përshtatshme të mësimeve të këtyre pasazheve. Atëherë personi që na bën pyetjen mund t’i kontrollojë shpejt ato pasazhe për vete dhe të mësojë shumë më shpejt se cili është mësimi i Biblës për atë temë të caktuar. Kështu nevoja e teologjisë sistematike për të mësuar se çfarë thotë Bibla fillimisht ndodh sepse jemi të kufizuar në kujtesën tonë dhe në sasinë e kohës që kemi në dispozicion.

Pra, arsyeja kryesore për studimin e teologjisë sistematike është se ajo na jep mundësinë të mësojmë veten dhe të tjerët për çfarë thotë e gjithë Bibla, duke përmbushur kështu pjesën e dytë të Porosisë së Madhe.

2. Përfitimet për jetët tona. Edhe pse arsyeja kryesore për studimin e teologjisë sistematike është se ajo shërben si një mjet i bindjes ndaj urdhërimit të Zotit tonë, ka edhe disa përfitime të tjera specifike që rrjedhin nga një studim i tillë.

Së pari, studimi i teologjisë na ndihmon të mposhtim idetë tona të gabuara. Po të mos kishte mëkat në zemrat tona, mund ta lexonim Biblën nga fillimi deri në fund, dhe paçka se nuk do të mësonim menjëherë çdo gjë në Bibël, me shumë gjasa do të mësonin vetëm gjëra të vërteta për Perëndinë dhe krijimin e Tij. Çdo herë që do e lexonim, do të mësonim më shumë gjëra të vërteta dhe nuk do të rebeloheshim ose nuk do të mohonim të pranonim ndonjë gjë  të shkruar aty. Por me mëkatin në zemrat tona ne ruajmë brenda vetes paksa rebelim kundër Perëndisë. Në çështje të ndryshme, për të gjithë ne ka mësime biblike të cilat për një arsye apo tjetër nuk duam t’i pranojmë. Studimi i teologjisë sistematike ndihmon në mposhtjen e këtyre ideve rebele.

Për shembull, supozoni se është dikush që nuk dëshiron të besojë se Jezusi do të kthehet përsëri personalisht në tokë. Ne mund t’i tregojmë këtij personi një varg ose mbase dy që flasin për kthimin e Jezusit në tokë, por personi përsëri mund të gjejë një mënyrë për t’i bërë bisht fuqisë së këtyre vargjeve ose t’i marrë me tjetër kuptim. Por nëse mbledhim njëzet e pesë ose tridhjetë vargje që tregojnë se Jezusi do të kthehet përsëri në tokë personalisht, dhe i shkruajmë të gjitha në letër, miku ynë që ngurroi të besonte në kthimin e Krishtit ka shumë më tepër gjasa të bindet nga shkalla e gjerë dhe shumëllojshmëria e dëshmisë biblike për këtë doktrinë. Pa dyshim, që të gjithë kemi fusha si këto, fusha ku i kuptuari ynë i mësimit të Biblës është i pamjaftueshëm. Në këto fusha, do të na ndihmonte të ballafaqohemi me të gjithë peshën e mësimit të Shkrimit për atë temë, me qëllim që të bindemi më me gatishmëri edhe kundër prirjeve tona fillestare të gabuara.

Së dyti, studimi i teologjisë sistematike na ndihmon të jemi në gjendje të marrim vendime më të mira më vonë për pyetjet e reja që mund të ngrihen rreth doktrinës. Nuk mund ta dimë se çfarë polemikash të reja doktrinare do të ngrihen në kishat në të cilat do të jetojmë dhe do të shërbejmë dhjetë, njëzetë, apo tridhjetë vjet më vonë (nëse Zoti nuk kthehet më parë). Këto kundërshti të reja doktrinare nganjëherë do të përfshijnë çështje që askush nuk i ka trajtuar me shumë kujdes më parë. Të krishterët do të pyesin: “Çfarë thotë e gjithë Bibla për këtë temë”? (Natyra e saktë e pagabueshmërisë biblike dhe i kuptuari i duhur i mësimit biblik për dhuntitë e Frymës së Shenjtë, janë dy shembuj për çështje që kanë dalë në pah në shekullin tonë me më shumë forcë sesa ndonjëherë më parë në historinë e kishës).

Çfarëdo që të jenë kundërshtitë e reja doktrinare në vitet e ardhshme, ata që e kanë mësuar mirë teologjinë sistematike do të jenë më shumë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve të reja që ngrihen. Arsyeja për këtë është se çdo gjë që thotë Bibla në një farë mënyre është e lidhur me çdo gjë tjetër që ajo thotë (sepse gjithçka përputhet në një mënyrë të qëndrueshme, të paktën përbrenda të kuptuarit të vetë realitetit të Perëndisë dhe natyrës së Tij, si dhe krijimit, ashtu si ato janë në të vërtetë). Kështu çështja e re do të ketë lidhje me shumë nga gjërat që tashmë na janë mësuar nga Shkrimi. Sa më plotësisht të jetë mësuar materiali fillestar, aq më mirë do të jemi në gjendje të trajtojmë këto pyetje të reja.

Ky përfitim shtrihet edhe më gjerë. Ne ndeshim probleme të zbatimit të Shkrimit në jetë në më shumë kontekste sesa në diskutimet formale doktrinare. Çfarë mëson Bibla për marrëdhëniet burrë-grua? Për rritjen e fëmijëve? Për dëshmimin me ungjillin ndaj një shoku në punë? Çfarë parimesh na jep Shkrimi për studimin e psikologjisë, ose ekonomisë, ose shkencave natyrore? Si na drejton në përdorimin e parasë, në kursimin apo në ofertën e të dhjetës? Në çdo fushë kërkimore do të shfaqen parime të caktuara teologjike dhe ata që i kanë mësuar mirë mësimet teologjike të Biblës do të jenë më shumë në gjendje të marrin vendime që janë të kënaqshme për Perëndinë.

Një analogji ndihmëse në këtë pikë, është ajo e një loje formuese. Nëse formuesja do të simbolizonte “atë që e gjithë Bibla na mëson sot për gjithçka” atëherë një kurs në teologji sistematike do të ishte si të formoje kornizën dhe disa nga figurat kryesore në formuese. Por asnjëherë nuk do të dimë gjithçka që Bibla mëson për gjithçka, kështu që formuesja jonë do të ketë shumë vende bosh, shumë pjesë të mozaikut ende të paplotësuara. Zgjidhja e një problemi real të jetës është e ngjashme me plotësimin e një pjese tjetër të formueses: sa më shumë pjesë të formueses që dikush i ka vendosur si duhet që në fillim, aq më e lehtë do të jetë vendosja e pjesëve të reja dhe aq më pak i prirur është dikush të bëjë gabime. Në këtë libër qëllimi është t’u bëjë të mundur të krishterëve që të vendosin në “formuesen e tyre teologjike” sa më shumë pjesë me sa më shumë saktësi që të jetë e mundur dhe t’u japim zemër të krishterëve të vazhdojnë të vendosin akoma më shumë pjesë të duhura gjatë gjithë jetës së tyre. Doktrinat e krishtera të studiuara këtu do të shërbejnë si udhëzime për të ndihmuar në mbushjen e të gjitha fushave të tjera, fusha që u përkasin të gjitha aspekteve të së vërtetës në të gjitha aspektet e jetës.

Së treti, studimi i teologjisë sistematike do të na ndihmojë të rritemi si të krishterë. Sa më shumë të dimë për Perëndinë, për Fjalën e Tij, për marrëdhënien e Tij me botën dhe njerëzimin, aq më mirë do t’i besojmë Atij, dhe do ta përlëvdojmë akoma më plotësisht dhe do t’i bindemi me më shumë gatishmëri. Studimi i teologjisë sistematike me të drejtë do të na bëjë të krishterë më të pjekur. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, nuk jemi duke e studiuar sipas mënyrës që cakton Perëndia.

Në të vërtetë, Bibla shpesh lidh doktrinën e shëndoshë me pjekurinë në jetesën e krishterë: Pali flet për: “doktrinën sipas perëndishmërisë” (1 Tim. 6:3) dhe thotë se puna e tij si apostull është: “të çojë më tej besimin e të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohurinë e tyre të së vërtetës sipas perëndishmërisë” (Titit 1:1). Në dallim, ai tregon se të gjitha llojet e mosbindjes dhe imoralitetit, bien “në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë” (1 Tim. 1:10).

Në lidhje me këtë ide, është e përshtatshme të bëjmë pyetjen se cili është ndryshimi midis një “doktrine parësore” dhe një “doktrinë dytësore”. Të krishterët shpesh thonë se duan të kërkojnë harmoni në kishë për doktrinat parësore por dhe të japin mundësi për mospërputhje mendimesh për sa u takon doktrinave dytësore. Udhëzuesin e mëposhtëm e kam gjetur të dobishëm:

Një doktrinë është parësore nëse ka ndikim të ndjeshëm mbi mendimin tonë për doktrina të tjera, ose nëse ka një ndikim të ndjeshëm tek mënyra se si e jetojmë jetën e krishterë. Një doktrinë është dytësore nëse ka shumë pak ndikim tek mënyra se si mendojmë për doktrinat e tjera dhe shumë pak ndikim tek mënyra se si e jetojmë jetën e krishterë.

Me anë të këtij standardi, doktrinat si autoriteti i Biblës (kapitulli 4), Trinia (kapitulli 14), hyjnia e Krishtit (kapitulli 26), drejtësimi me anë të besimit (kapitulli 36), dhe shumë të tjera, me të drejtë do të konsideroheshin doktrina parësore. Njerëz që nuk bien në një mendje me të kuptuarin historik ungjillor të ndonjë prej këtyre doktrinave, do të kenë fusha të gjera mospërputhje mendimesh me të krishterët Ungjillorë të cilët i mbështesin këto doktrina. Në dallim me këtë, më duket se mospërputhjet e mendimeve për mënyrat e administrimit të kishës (kapitulli 47) ose disa detaje për Darkën e Zotit (kapitulli 50) ose për përcaktimin e kohës së mundimit të madh (kapitulli 55) i përkasin doktrinave dytësore. Të krishterët të cilët kanë mospërputhje mendimesh për këto gjëra, mund të bien në një mendje mbase në çdo fushë tjetër të doktrinës, mund të jetojnë jetë të krishtera që nuk ndryshojnë në ndonjë mënyrë të rëndësishme dhe mund të kenë bashkësi të vërtetë me njëri tjetrin.

Sigurisht, që mund të gjejmë doktrina që bien diku midis “parësores” dhe “dytësores” sipas këtij standardi. Për shembull, të krishterët mund të kenë mendime të ndryshme për shkallën e rëndësisë që duhet t’i japin doktrinës së pagëzimit (kapitulli 49) ose të mijëvjeçarit (kapitulli 55) ose të asaj që përfshin shlesa (kapitulli 27). Kjo gjë është e natyrshme, sepse shumë doktrina kanë pak ndikim mbi doktrinat e tjera ose në jetë, por mund të kemi mendime të ndryshme nëse e mendojmë atë të ketë ndikim “domethënës”. Ne mund të pranojmë edhe se do të ketë një diapazon të gjerë kuptimesh këtu dhe thjesht të themi se sa më shumë ndikim ka një doktrinë mbi doktrinat e tjera ose në jetë, aq më shumë “parësore” bëhet ajo. Kjo masë ndikimi mund të ndryshojë sipas rrethanave dhe nevojave historike të kishës në një kohë të caktuar. Në raste të tilla, të krishterëve do t’ju duhet t’i kërkojnë Perëndisë pjekuri dhe gjykim të shëndoshë ndërsa përpiqen të vendosin se deri në çfarë shkalle një doktrinë duhet të konsiderohet “parësore” në rrethanat e tyre të veçanta.

D. Shënim mbi dy kundërshtime për studimin e teologjisë sistematike

1. “Konkluzionet janë ‘aq të kopsitura’ sa si zor se janë të vërteta”. Disa studiues e shikojnë me dyshim teologjinë sistematike kur (ose edhe për shkak se), mësimet e saj përputhen në një mënyrë jo kundërshtuese të njëra-tjetrës. Ata kundërshtojnë duke thënë se rezultatet janë “tepër të kopsitura” dhe se teologët sistematikë për rrjedhojë duhet të jenë duke i rrasur mësimet e Biblës në një kallëp artificial, duke shtrembëruar kuptimin e vërtetë të Shkrimit, me qëllim për të përftuar një tërësi të sistemuar mirë besimesh.

Ndaj këtij kundërshtimi mund të jepen dy përgjigje: (1) Së pari duhet t’u kërkojmë atyre që e ngrenë këtë kundërshtim, të na tregojnë cilat çështje specifike të Shkrimit  janë keqinterpretuar dhe më pas mund të merremi me kuptimin e atyre pasazheve. Mbase janë bërë gabime dhe në atë rast duhen bërë korrigjime.

Megjithëkëtë është gjithashtu e mundur që dhe kundërshtuesi të mos ketë ndonjë pasazh specifik në mendje, ose ndonjë interpretim qartësisht të gabuar për të vënë në dukje në veprat e teologëve ungjillorë më të përgjegjshëm. Sigurisht, ekzegjeza të mangëta mund të gjendet në shkrimet e studiuesve në çdo fushë të studimeve biblike, jo vetëm në teologjinë sistematike, por ato “shembuj të këqij” nuk përbëjnë një kundërshtim kundër lëmit të studimit të studiuesit por kundër vetë studiuesit të paaftë.

Është shumë e rëndësishme që personi që ka diçka për të kundërshtuar, të tregohet specifik në këtë pikë sepse ky kundërshtim nganjëherë ngrihet nga ata që (mbase në mënyrë të pavetëdijshme) kanë marrë nga kultura jonë një pikëpamje skeptike të mundësisë së daljes në përfundime përbotërisht të vërteta për çdo gjë, madje edhe për Perëndinë duke u nisur nga Fjala e Tij. Ky lloj skepticizmi për të vërtetën teologjike është në veçanti i zakontë në botën moderne universitare ku “teologjia sistematike (nëse studiohet ndopak,) studiohet vetëm nga këndvështrimi i teologjisë filozofike dhe teologjisë historike (mbase duke përfshirë një studim historik të ideve të ndryshme që besoheshin nga të krishterët e hershëm të cilët shkruan Besëlidhjen e Re dhe nga të krishterë të tjerë në atë kohë dhe gjatë gjithë historisë së kishës). Në këtë lloj klime intelektuale, studimi i “teologjisë sistematike” siç u përkufizua në këtë kapitull, do të konsiderohej i pamundur, sepse Bibla do të supozohej të ishte thjesht vepra e shumë autorëve njerëzorë të cilët shkruan gjerësisht për kultura dhe përvoja të ndryshme gjatë harkut kohor të më shumë se njëmijë vjetëve. Përpjekja për të gjetur “çfarë mëson e gjithë Bibla” për çdo temë do të mendohej gati po aq e pashpresë sa përpjekja për të gjetur “çfarë mësojnë të gjithë filozofët” për disa çështje të caktuara, dhe kjo sepse përgjigja në të dyja rastet do të mendohej të ishte jo një pikëpamje e vetme por shumë të tilla e të ndryshme dhe shpesh në kundërshtim me njëra tjetrën. Kjo pikëpamje skeptike duhet të hidhet poshtë nga ungjillorët të cilët e shikojnë Shkrimin si produkt me autorësi njerëzore dhe hyjnore dhe për rrjedhojë si një përmbledhje shkrimesh që mësojnë të vërteta jo kundërshtuese të njëra-tjetrës për Perëndinë dhe për universin që Ai krijoi.

(2) Së dyti, duhet dhënë përgjigja se në vetë mendjen e Perëndisë dhe në vetë natyrën e realitetit, faktet dhe idetë e vërteta janë të gjitha të pajtueshme me njëra tjetrën. Për rrjedhojë, nëse i kemi kuptuar me saktësi mësimet e Perëndisë në Shkrim, duhet të presim që përfundimet tona të “përputhen” dhe të jenë të pajtueshme me njëra tjetrën. Pra, pajtueshmëria e brendshme është një argument pro dhe jo kundër cilitdo rezultati individual të teologjisë sistematike.

2. “Zgjedhja e temave dikton përfundimet”. Një tjetër kundërshtim i përgjithshëm i ngritur kundër teologjisë sistematike ka lidhje me zgjedhjen dhe vendosjen e temave dhe madje edhe për faktin se përse përdoret një vendosje e tillë tematike e studimit të Shkrimit, duke përdorur kategori nganjëherë të ndryshme nga ato të gjetura në vetë Shkrimin. Pse trajtohen  të gjitha këto tema teologjike në vend të thjesht temave të theksuara nga autorët biblikë dhe pse temat janë vendosur në këtë mënyrë e jo në ndonjë mënyrë tjetër? Mbase (sipas këtij kundërshtimi), traditat dhe kulturat tona kanë përcaktuar temat që trajtojmë dhe vendosjen e temave, me qëllim që rezultatet e këtij studimi sistematik teologjik të Shkrimit, edhe pse është i pranueshëm në traditën tonë teologjike, në të vërtetë do të jetë i pavërtetë ndaj vetë Shkrimit.

Një variant i këtij kundërshtimi është pohimi se pikënisja jonë shpesh përcakton përfundimet tona për sa u takon temave të diskutueshme: nëse për shembull, vendosim të fillojmë me një theksim të autorësisë hyjnore të Shkrimit, do të përfundojmë duke besuar në pagabueshmërinë biblike, por nëse fillojmë me një theksim në autorësinë njerëzore të Shkrimit, do të përfundojmë të besojmë se ka disa gabime në Bibël. Po kështu, nëse fillojmë me një theksim në sovranitetin e Perëndisë, do të bëhemi si kalvinistët, por nëse fillojmë me një theksim në aftësinë e njeriut për të bërë zgjedhje të lira, do të bëhemi si arminianët,[8]8 e kështu me radhë. Ky kundërshtim e bën të duket sikur çështjet më të rëndësishme teologjike ka mundësi të gjejnë zgjidhje me një të hedhur monedhe për të vendosur ku të fillojmë, meqë përfundime të ndryshme dhe njësoj të vlefshme në mënyrë të pashmangshme do të arrihen nga pikënisje të ndryshme.

Ata të cilët ngrenë një kundërshtim të tillë, shpesh sugjerojnë se mënyra më e mirë për të shmangur këtë problem është të mos studiosh ose të mos mësosh aspak teologjinë sistematike, por të kufizojmë studimet tona tematike në fushën e teologjisë biblike, duke u marrë vetëm me temat dhe motivet që theksojnë vetë autorët biblikë dhe duke përshkruar zhvillimin historik të këtyre motiveve në të gjithë Biblën.

Në përgjigje ndaj këtij kundërshtimi, shumë nga diskutimi në këtë kapitull për nevojën për të dhënë mësim Shkrimin do të jetë me shumë vend. Zgjedhja jonë e temave nuk ka përse të kufizohet me vetëm preokupimet kryesore të autorëve biblikë, sepse qëllimi ynë është të gjejmë atë që Perëndia kërkon nga ne në të gjitha fushat me interes për ne sot.

Për shembull, nuk ishte shqetësimi kryesor i ndonjë prej autorëve të Besëlidhjes së Re të shpjegonte tema të tilla si “pagëzim në Frymën e Shenjtë”, apo rolet e grave në kishë, ose doktrinën e Trinisë, por këto janë fusha të vlefshme me interes për ne sot dhe duhet të shikojmë në të gjitha vendet në Shkrim që kanë lidhje me këto tema (nëse këto terma specifikë përmenden apo jo dhe nëse ato tema janë në qendër të vëmendjes për secilin pasazh që shqyrtojmë apo jo) nëse do të jemi në gjendje të kuptojmë dhe t’ua shpjegojmë të tjerëve “çfarë mëson e gjithë Bibla” për to.

E vetmja alternativë (sepse për këto tema ne do të mendojmë diçka gjithsesi), është t’i krijojmë mendimet tona kuturu nga një mbresë e përgjithshme për çfarë ndiejmë të jetë një pozicion “biblik” për secilën temë, ose mbase të përkrahim pozicionin tonë me një analizë të kujdesshme të një ose dy teksteve që janë të po asaj linje, megjithëkëtë pa pasur asnjë garanci që ato tekste paraqesin një pikëpamje të drejtpeshuar të “të gjithë këshillës së Perëndisë” (Veprat e Apostujve 20:27) për temën që po trajtohet. Në fakt kjo qasje (një qasje tepër e përhapur në qarqet ungjillore sot), mendoj, se mund të quhet “teologji jo sistematike” ose madje “teologji e çrregullt dhe e jo strukturuar”! Një alternativë e tillë është tepër subjektive dhe shumë e varur ndaj presioneve kulturore. Ka prirjen të shkojë drejt fragmentimit doktrinar dhe pasigurisë doktrinare me ndikim të gjerë, duke e lënë kishën teologjikisht të papjekur, si “foshnja, të hedhur andej-këndej dhe të çuar aty-këtu nga çdo erë e doktrinës”. (Efe. 4:14).

Për sa i përket kundërshtimit për zgjedhjen dhe renditjen e temave, nuk ka asgjë që të na ndalojë që të shkojmë te Shkrimi për të kërkuar përgjigje për çdo çështje doktrinare, e marrë në shqyrtim në çfarëdolloj renditjeje. Renditja e temave në këtë libër është tepër e zakontë dhe u përdor edhe këtu, për shkak se është një renditje e rregullt dhe është në veçanti e kollajtë për të mësuar dhe për të dhënë mësim. Por kapitujt mund të lexohen në çfarëdolloj rendi të preferuar, dhe përfundimet nuk ka përse të jenë të ndryshme, dhe as forca bindëse e argumenteve (po qe se janë përftuar si duhet nga Shkrimi) nuk do të zbehet ndjeshëm. Në fakt, mendoj se pjesa më e madhe e lexuesve të këtij libri, nuk do ta lexojnë atë nga kapitulli 1 deri në kapitullin 57, por do të fillojnë me kapitujt që u interesojnë atyre më shumë, ndërsa kapitujt e tjerë do t’i lexojnë më vonë. Kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse jam përpjekur që t’i shkruaj kapitujt në atë mënyrë që mund të lexohen si njësi të pavarura dhe kam shtuar referenca kryq për pjesët në kapitujt e tjerë ku kjo është e përshtatshme. Nëse dikush lexon kapitullin për qiejt e rinj dhe tokën e re (kapitulli 57) të parin ose të fundit ose diku aty nga mesi, argumentet do të mbeten përsëri të njëjtat, pasazhet e Shkrimit të cituara për mbështetjen e argumenteve do të jenë po ato, dhe edhe përfundimet e nxjerra, po kështu.

E. Si duhet ta studiojnë të krishterët teologjinë sistematike?

Atëherë si duhet ta studiojmë teologjinë sistematike? Bibla siguron disa udhëzime për përgjigjen e dhënë ndaj kësaj pyetjeje.

1. Teologjinë sistematike duhet ta studiojmë me lutje. Nëse studimi i teologjisë sistematike është thjesht një mënyrë e caktuar e studimit të Biblës, atëherë pasazhet në Shkrim që flasin për mënyrën se si duhet ta studiojmë Fjalën e Perëndisë na udhëheqin në këtë detyrë. Ashtu si lutet psalmisti te “Psalmi” 119:18, “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodis mrekullitë e ligjit tënd”, kështu duhet të lutemi dhe të kërkojmë ndihmën e Perëndisë në kuptimin e Fjalën e Tij. Pali na tregon te “1 Korintasve” 2:14 se “Njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato hetohen frymërisht”. Për rrjedhojë, studimi i teologjisë është një aktivitet frymëror në të cilin kemi nevojë për ndihmën e Frymës së Shenjtë.

Pavarësisht se sa i zgjuar është, nëse studenti nuk ngulmon në lutje që Perëndia t’i japë atij ose asaj një mendje të aftë për të kuptuar dhe një zemër besuese dhe të përulur, dhe nëse studenti nuk mban një ecje personale me Zotin, atëherë mësimet e Shkrimit do të keqkuptohen dhe nuk kanë për t’u besuar, gabime doktrinare do të vijnë për pasojë, dhe mendja dhe zemra e studentit nuk do të ndryshohet për më mirë por për më keq. Studentët e teologjisë sistematike duhet të vendosin që në fillim t’i ruajnë të pastra jetët e tyre nga ndonjë mosbindje ndaj Perëndisë ose nga ndonjë mëkat i ditur që do ta ndërpriste marrëdhënien e tyre me Të. Ata duhet të vendosin të mbajnë me rregullsi të madhe jetën e tyre personale devocionale. Ata duhet të luten pa pushim për mençuri dhe kuptueshmëri të Shkrimit nga ana e tyre.

Meqë është Fryma e Shenjtë që na jep aftësinë të kuptojmë Shkrimin siç duhet, ne duhet të kuptojmë se gjëja e duhur për t’u bërë, veçanërisht kur nuk jemi në gjendje të kuptojmë ndonjë pasazh ose doktrinë të Shkrimit, është të lutemi për ndihmën e Perëndisë. Ajo për të cilën shpesh kemi nevojë, nuk është më shumë informacion por më shumë thellim në informacionin që tashmë e kemi të disponueshëm. Kjo njohuri e thelluar jepet vetëm nga Fryma e Shenjtë (kr. 1 Kor. 2:14; Efe. 1:17–19).

2. Teologjinë sistematike duhet ta studiojmë me përulësi. Pjetri na thotë: “Nënshtrojuni të gjithë njëri-tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton mendjemëdhenjtë, por u jep hir të përulurve”’ (1 Pjetrit 5:5). Ata që studiojnë teologjinë sistematike do të mësojnë shumëçka rreth mësimeve të Shkrimit që mbase janë të panjohura ose që nuk njihen mirë nga të krishterë të tjerë në kishat e tyre ose nga të afërm që janë më të vjetër në besim se ata. Ata mundet të zbulojnë se kuptojnë gjëra për Shkrimin që disa nga krerët e kishës ku ata shkojnë, nuk i kuptojnë dhe që madje edhe pastori i tyre mbase i ka harruar ose nuk i ka mësuar kurrë siç duhet.

Në të gjitha këto situata, do të ishte shumë e lehtë të merrje një qëndrim prej mburraveci dhe a thua se je më lart se të tjerët të cilët nuk e kanë kryer një studim të tillë. Por ç’gjë e shëmtuar do të ishte nëse ndokush do ta përdorte këtë njohuri të Fjalës së Perëndisë thjesht për të fituar argumente ose për të nënçmuar të krishterë të tjerë në bisedë, ose për ta bërë një tjetër besimtar të ndihet i parëndësishëm në punën e Zotit. Këshilla e Jakobit është e mirë për ne në këtë pikë: “Çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë” (Jakobi 1:19–20). Ai na thotë se të kuptuarit e Shkrimit duhet të jepet në përulësi dhe dashuri:

Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të mirë veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.... Por urtësia që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. 18 Por fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen. (Jakobi 3:13, 17–18)

Teologjia sistematike e studiuar si duhet, nuk do të çojë në njohurinë që “fryn” (1 Kor. 8:1) por në përulësi dhe dashuri për të tjerët.

3. Teologjinë sistematike duhet ta studiojmë me arsye. Shikojmë në Besëlidhjen e Re se Jezusi dhe autorët e Besëlidhjes së Re shpesh citojnë një varg nga Shkrimi dhe më pas nxjerrin përfundime logjike prej tij. Ata arsyetojnë mbi bazën e Shkrimit. Për rrjedhojë nuk është gabim të përdorim gjykimin njerëzor, logjikën njerëzore dhe arsyen njerëzore për të nxjerrë përfundime nga pohime të Shkrimit. Megjithëkëtë, kur arsyetojmë dhe dalim në konkluzione në ato që mendojmë të jenë deduksione të drejta logjike nga Shkrimi, nganjëherë gabojmë. Deduksionet që nxjerrim nga pohimet e Shkrimit nuk janë të barasvlershme me pohimet e Shkrimit vetë në padiskutueshmërinë apo autoritetin e tyre, sepse aftësia jonë për të arsyetuar dhe për të dalë në përfundime, nuk është standardi përfundimtar i të vërtetës. Vetëm Shkrimi është standardi përfundimtar i të vërtetës.

Atëherë cilat janë kufizimet në përdorimin tonë të aftësive arsyetuese për të nxjerrë përfundime nga pohimet e Shkrimit? Fakti se arsyetimi me qëllim daljen në përfundime që shkojnë përtej pohimeve të thjeshta të Shkrimit është i duhur dhe madje i nevojshëm për të studiuar Shkrimin dhe fakti se vetë Shkrimi është standardi përfundimtar i së vërtetës, ndërthuren për të na treguar se jemi të lirë të përdorim aftësitë tona arsyetuese për të nxjerrë deduksione nga çdo pasazh i Shkrimit për sa kohë që këto deduksione nuk kundërshtojnë mësimin e qartë të ndonjë pasazhi tjetër të Shkrimit.[9]9

Ky parim shërben si një garanci në përdorimin prej nesh të asaj që ne mendojmë të jenë deduksione logjike nga Shkrimi. Deduksionet tona të supozuara logjike mund të jenë të gabuara, por Shkrimi vetë nuk mund të jetë i gabuar. Kështu, për shembull, ne mund të lexojmë Shkrimin dhe të zbulojmë se Perëndia Atë quhet Perëndi (1 Kor. 1:3), se Perëndia Bir quhet Perëndi (Gjoni 20:28; Titit 2:13), dhe se Perëndia Frymë e Shenjtë quhet Perëndi (Veprat e Apostujve 5:3–4). Nga kjo, ne mund të dalim në përfundim se ka tri Perëndi. Por më pas shikojmë se Bibla na mëson në mënyrë të qartë se Perëndia është një (L. i P. 6:4; Jakobi 2:19). Kështu, dalim në përfundim se ajo që menduam se ishte një deduksion i vlefshëm logjik për tri Perëndi, ishte faktikisht i gabuar dhe se Shkrimi na i mëson të dyja (a) se ka tre persona të veçantë (Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë), e secili prej Tyre është tërësisht Perëndi, dhe (b) se ka një Perëndi.

Ne nuk mund ta kuptojnë plotësisht se si të dyja këto pohime mund të jenë të vërteta, kështu që të dyja bashkë ato përbëjnë një paradoks (“një pohim në dukje kontradiktor por që gjithsesi është i vërtetë”).[10]10 Ne mund ta tolerojmë një paradoks (si “Perëndia është tre persona dhe një Perëndi”) sepse kemi besimin se përfundimisht Perëndia e di plotësisht të vërtetën për Veten e Tij dhe për natyrën e realitetit dhe se në njohjen e Tij elementë të ndryshëm të një paradoksi pajtohen plotësisht, edhe pse në këtë pikë mendimet e Perëndisë janë më të larta se mendimet tona (Isa. 55:8–9). Por një kundërthënie e vërtetë (si, “Perëndia është tre persona dhe Perëndia nuk është tre persona”) do të nënkuptonte një kontradiktë të plotë në vetë kuptimin e Perëndisë të Vetvetes ose të realitetit dhe kjo gjë nuk mund të ndodhë.

Kur psalmisti thotë: “Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.” (Ps. 119:160), ai lë të kuptohet se fjalët e Perëndisë jo vetëm që janë të vërteta veç e veç por dhe kur merren bashkë si një e tërë. Të shikuara bashkë, “totali” i tyre është gjithashtu “e vërteta”. Përfundimisht, nuk ka asnjë kundërthënie të brendshme qoftë në Shkrim, qoftë në vetë mendimet e Perëndisë.

4. Teologjinë sistematike duhet ta studiojmë me ndihmë nga të tjerët. Duhet të jemi mirënjohës që Perëndia ka vendosur mësues në kishë (“Dhe Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues...” [1 Kor. 12:28]. Duhet t’i lejojmë ata që kanë dhunti mësimi të na ndihmojnë të kuptojmë Shkrimin. Kjo do të thotë se duhet të shfrytëzojmë teologjitë sistematike si dhe librat e tjerë që janë shkruar prej disa nga mësuesve që Perëndia i ka dhënë kishës gjatë rrjedhës së historisë së saj. Gjithashtu, kjo nënkupton edhe se studimi i teologjisë nga ne, duhet të përfshijë biseda me të krishterë të tjerë për gjërat që studiojmë. Ndër ata me të cilët flasim shpesh do të ketë disa me dhuntitë e mësimit e që të cilët mund të shpjegojnë mësimet biblike qartësisht dhe të na ndihmojnë t’i kuptojmë me më lehtësi. Në fakt, një pjesë e të nxënit më efektiv në lëndën e teologjisë sistematike në kolegje dhe seminare, shpesh ndodh jashtë klasës, gjatë bisedave të thjeshta midis studentëve të cilët përpiqen t’i kuptojnë doktrinat biblike.

5. Teologjinë sistematike duhet ta studiojmë duke mbledhur dhe duke kuptuar të gjitha pasazhet përkatëse të Shkrimit për cilëndo temë. Kjo çështje u përmend në përkufizimin tonë të teologjisë sistematike në fillim të kapitullit, por procesi aktual duhet përshkruar këtu. Si duhet ta bëjë dikush një përmbledhje doktrinare të asaj se çfarë japin mësim të gjitha pasazhet e Shkrimit për një temë të caktuar? Për temat e diskutuara në këtë libër, shumë njerëz do të mendojnë se studimi i kapitujve në këtë libër dhe leximi i vargjeve të shënuara të Biblës do të mjaftonte. Por disa njerëz do të duan të bëjnë studim të mëtejshëm të Shkrimit për një temë të caktuar ose të studiojnë ndonjë temë të re të pa diskutuar këtu. Çfarë duhet të bëjë një student për ta përdorur Biblën për të hulumtuar mësimet e saj për ndonjë temë të re, mbase një të padiskutuar qartësisht në ndonjë nga tekstet shkollore të tij ose të saj të teologjisë sistematike?

Procesi do të ishte i tillë: (1) Gjeni të gjitha vargjet që kanë lidhje me temën. Ndihma më e mirë në këtë hap është një renditës i mirë, që të mundëson të kërkosh fjalë kyçe dhe të gjesh vargje në të cilat trajtohet tema. Për shembull, duke studiuar se çfarë do të thotë që njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me Perëndinë, të duhet të gjesh të tërë vargjet në të cilat hasen fjalët “shëmbëlltyrë”, “ngjasim” dhe “krijoj”. (Fjalët “njeri” dhe “Perëndi” hasen aq shpesh saqë nuk është e udhës për një kërkim të tyre me renditës). Në studimin e doktrinës së lutjes, mund të kërkohen shumë fjalë (lutem, lutje, ndërhyrje, kërkesë, përgjërim, rrëfej, rrëfim, përlëvdim, falënderim, mirënjohje etj.), dhe mbase lista e vargjeve do të zgjatej tej mase aq sa të mos ishte më e menaxhueshme, kështu që studentit do t’i duhej t’i hidhte një shikim të shpejtë zërave të renditësit, pa i parë vargjet, ose kërkimi me shumë mundësi do të duhet të ndahej në disa pjesë ose të kufizohej në ndonjë mënyrë tjetër. Vargjet mund të gjenden edhe duke shqyrtuar me mendje historinë e përgjithshme të Biblës dhe më pas të kthehesh te pasazhet ku ka informacion për temën që po kërkon—për shembull, një student që po studion lutjen do të bënte mirë të lexonte pasazhe si ai për lutjen e Anës për një fëmijë (tek 1 Sam. 1), lutjen e Salomonit në dedikimin e tempullit (tek 1 Mbretërve 8), lutjen e Jezusit në kopshtin e Gjetsemanisë (tek “Mat.” 26 dhe te vargjet paralele nëpër ungjijtë e tjerë), e kështu me radhë. Pas punës me renditësin dhe leximin e pasazheve të tjera që mund të gjenden për një temë të caktuar, duke kërkuar pjesët me lidhje me temën në ndonjë libër të teologjisë sistematike, shpesh do të nxirren në dritë vargje të tjerë që janë kapërcyer, nganjëherë për shkak se fjalët kyçe të përdorura për renditeshin, nuk gjendeshin në ato vargje.[11]11

(2) Hapi i dytë është të lexoni, të mbani shënime dhe të përpiqeni të përmblidhni çështjet e hasura në vargjet përkatëse. Nganjëherë një temë do të përsëritet shpesh dhe përmbledhja e vargjeve të ndryshëm do të jetë relativisht e lehtë. Herë të tjera do të ketë vargje të vështirë për t’u kuptuar dhe studentit do t’i duhet kohë për të studiuar një varg në thellësi (thjesht duke e lexuar vargun në kontekst herë pas here, ose duke përdorur mjete të specializuara si komentarë dhe fjalorë) derisa vargu të mund të kuptohet aq sa duhet.

(3) Së fundmi, mësimet e vargjeve të ndryshme duhen përmbledhur në një ose disa çështje që Bibla pohon për atë temë. Përmbledhja nuk ka përse të ketë formën e njëjtë të konkluzioneve të dikujt tjetër për temën, sepse secili prej nesh mund të shohë gjëra në Shkrim që të tjerët nuk i kanë vënë re, ose mund ta organizojmë temën ndryshe ose të theksojmë gjëra të ndryshme.

Nga ana tjetër, në këtë pikë është e udhës edhe të lexojmë pjesët e përshtatshme, nëse mund të gjenden, në disa libra të ndryshëm të teologjisë sistematike. Kjo gjë përbën një kontroll të dobishëm kundër gabimeve e pakujdesive, dhe shpesh e bën personin të vetëdijshëm për pikëpamjet dhe argumentet e ndryshme që mund të na detyrojnë të ndryshojmë ose të përforcojmë pikëpamjen tonë. Nëse një student zbulon se të tjerët kanë argumentuar me forcë përfundime të ndryshme, atëherë këto pikëpamje të tjera duhet të parashtrohen me paanësi dhe më pas t’ju jepet përgjigje. Nganjëherë libra të tjerë të teologjisë do të na paralajmërojnë për çështje historike ose filozofike që janë ngritur më parë në historinë e kishës dhe këto do të japin njohuri të mëtejshme të thelluara ose paralajmërime për gabime të mundshme.

Procesi i ravijëzuar më sipër, është i mundur për çdo të krishterë që mund të lexojë Biblën e tij ose të saj dhe që mund të kërkojë fjalët në një renditës. Sigurisht që njerëzit do të bëhen më të shpejtë dhe më të saktë në këtë proces me kalimin e kohës, kur kanë më shumë përvojë dhe pjekuri të krishterë, por do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për kishën nëse të krishterët në përgjithësi do t’i jepnin më shumë kohë kërkimit të temave në Shkrim për veten dhe të nxirrnin përfundime në mënyrën e përvijuar më sipër. Gëzimi i zbulimit të temave biblike do të ishte së tepërmi shpërblyes. Në veçanti pastorët dhe ata që drejtojnë studime Bible do të rifreskohen më shumë në kuptimin e tyre të Shkrimit dhe në dhënien mësim të tij.

6. Teologjinë sistematike duhet ta studiojmë me gëzim dhe përlëvdim. Studimi i teologjisë nuk është thjesht një ushtrim teologjik për intelektin. Është studimi i Perëndisë së gjallë dhe i mrekullive të të gjithë veprave të Tij të krijimit dhe të shpengimit. Këtë temë nuk mund ta studiojmë pa pasur pasion! Duhet ta duam gjithçka që është Perëndia, gjithçka që Ai thotë dhe gjithçka që Ai bën. “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër” (L. i P. 6:5). Reagimi ynë për sa i takon studimit të teologjisë së Shkrimit, duhet të jetë ai i psalmistit i cili tha: “Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!” (Ps. 139:17). Në studimin e mësimeve të Fjalës së Perëndisë, nuk duhet të befasohemi nëse shpesh i gjejmë zemrat tona të shpërthejnë spontanisht me shprehje përlëvdimi dhe kënaqësie si ato të psalmistit:

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën.

(Ps. 19:8)

Gëzohem duke ndjekur porositë e tua,

sikur të zotëroja tërë pasuritë. (Ps. 119:14)

Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time!

Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time! (Ps. 119:103)

Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë;

ato janë gëzimi i zemrës sime. (Ps. 119:111)

Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde,

ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. (Ps. 119:162)

Shpesh në studimin e teologjisë, përgjigjja e të krishterit duhet të jetë e ngjashme me atë të Palit në reflektimin e një argumenti të gjatë teologjik që ai sapo ka përfunduar në fund të “Romakëve” 11:32. Ai shpërthen në përlëvdim me gëzim për pasurinë e doktrinës që Perëndia i ka dhënë mundësinë të shprehë:

O thellësi pasurie edhe e urtësisë dhe e diturisë së Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pagjurmueshme janë udhët e tij!

“Sepse kush e njohu mendjen Zotit?

Ose kush u bë këshilltar i tij?.

Ose kush i dha Atij më parë,

që të ketë për të marrë shpagim?”.

Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi Atij përjetë! Amen! (Rom. 11:33–36).

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

Këto pyetje në fund të çdo kapitulli, përqendrohen në zbatimin në jetë. Për shkak se mendoj se doktrina duhet të ndihet në nivelin emocional ashtu si dhe të kuptohet në nivelin intelektual, në shumë kapituj kam përfshirë disa pyetje për të parë se çfarë mendon lexuesi për një çështje doktrinare. Mendoj se këto pyetje do të dalin tepër të vlefshme për ata që marrin kohë për të reflektuar mbi to.

1.     Në cilat mënyra (nëse ka ndonjë) ky kapitull ka ndryshuar të kuptuarin tuaj për se çfarë është teologjia sistematike? Cili ishte qëndrimi juaj ndaj studimit të teologjisë sistematike përpara se të lexonit këtë kapitull? Cili është qëndrimi juaj tani?

2.     Çfarë ka mundësi t’i ndodhë një kishe ose denominacioni që heq dorë nga mësimi i teologjisë sistematike për një brez ose më gjatë? A ka ndodhur kështu edhe me kishën tuaj?

3.     A ka ndonjë doktrinë nga ato që tregohen tek Pasqyra e Lëndës për të cilën një i kuptuar më i plotë do të ndihmonte të zgjidhte një vështirësi personale në jetën tuaj në këtë kohë? Cilat janë rreziqet frymërore dhe emocionale për të cilat ju personalisht duhet të jeni të vetëdijshëm gjatë studimit të teologjisë sistematike?

4.     Lutuni që Perëndia ta bëjë këtë studim të doktrinës bazë të krishterë një kohë rritjeje frymërore dhe bashkësie më të thellë me Të dhe një kohë në të cilën ju kuptoni dhe zbatoni mësimet e Shkrimit siç duhet.

TERMA TË VEÇANTË 

apologjetikë

teologji biblike

etikë e krishterë

kundërthënie/kontradiktë

doktrinë

teologji dogmatike

teologji historike

doktrinë parësore

doktrinë dytësore

teologji e Besëlidhjes së Re

teologji e Besëlidhjes së Vjetër

paradoks

teologji filozofike

presupozim

teologji sistematike

BIBLIOGRAFI

Në këto bibliografi zakonisht kam renditur vetëm vepra të shkruara nga pikëpamja që sot do të quhej pikëpamja ungjillore konservatore. Kjo është sepse qëllimi i kësaj pjese është t’i japë studentit akses në trajtime të tjera për secilën temë nga teologë që ndajnë të njëjtat bindje të përgjithshme me këtë libër për sa i takon natyrës së Shkrimit—se i gjithë Shkrimi është tërësisht i vërtetë dhe se është Fjala unike dhe plotësisht autoritare e Perëndisë për ne. Me të shkelur jashtë kësaj bindjeje, shumëllojshmëria e pikëpamjeve teologjike shtohet ndjeshëm dhe bibliografi të gjera gjenden lehtësisht në veprat më të fundit të cituara më poshtë. (Megjithëkëtë, kam përfshirë edhe dy vepra përfaqësuese të kishës Katolike Romake duke u nisur nga ndikimi i madh i kishës Katolike në gati çdo shoqëri në botë).

Shkrimtarët janë grupuar sipas kategorive të gjera denominacionale dhe brenda grupeve të tyre, ata janë renditur në mënyrë kronologjike. Sigurisht, kategoritë e mëposhtme nuk janë si të thuash të prera me thikë, sepse shpesh ka mbivendosje—shumë anglikanë dhe shumë baptistë janë të “Reformuar” teologjikisht ndërsa të tjerët në ato grupe janë teologjikisht “Arminianë”; shumë Dispensacionalistë janë gjithashtu Baptistë, ndërsa të tjerët janë Presbiterianë, e kështu me radhë. Megjithëkëtë kategoritë janë mjaft përfaqësuese për traditat e dallueshme teologjike përbrenda ungjillorëve.

Datat e dhëna janë ato të publikimit të botimit përfundimtar të teologjisë sistematike ose shkrimit kryesor teologjik të secilit autor. Aty ku nuk u botua asnjë vepër kryesore teologjike, datat përfaqësojnë vitet gjatë të cilave autori ishte aktiv në mësimin dhe shkrimin për teologjinë sistematike. Të dhëna të plota bibliografike mund të gjenden në f. 1224–1229.

Seksione në teologjitë sistematike ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 1–8

1930 Thomas, xvii—xxviii, 146–152

2. Arminiane (Uesliane ose Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:3–32, 42–46

1892–1894 Miley, 1:2–54

1940 Wiley, 1:13–123

1960 Purkiser, 19–38

1983 Carter, 1:19–101

1987–1890 Oden, 1:11–14, 375–406

3. Baptiste

1767 Gill, 1:—xxx

1887 Boyce, 1–8

1907 Strong, 1–51

1917 Mullins, 1–136

1976–1983 Henry, 1:13–411; 6:7–34

1983–1985 Erickson, 9–149

1987–1994 Lewis/Demarest, 1:13–123

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 1:3–17

1949 Thiessen, 1–20

1986 Ryrie, 9–22

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:3–190

1934 Mueller, 1–89

6. i Reformuar (ose Presbiterian)[12]12

1559 Calvin, 1:3–33, 35–43 (parathënie dhe 1.1–2)

1724–1758 Edwards, 2:157–163

1861 Heppe, 1–11, 42–47

1871–1873 Hodge, 1:1–150

1878 Dabney, 133–144

1887–1921 Warfield, SSW 2:207–320

1889 Shedd, 1:3–58; 3:1–26

1937–1966 Murray, CW 1:3–8, 169–173; CW 4:1–21

1938 Berkhof, Hyrje. 15–128, 170–186

1962 Buswell, 1:13–26

7. Ripërtëritja (ose Karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:11–28

Seksione në teologjitë sistematike përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 1–10

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:3–78, 183–200

Vepra të tjera

Baker, D.L. “Teologji Biblike (Biblical Theology).” tek FRT ([13]NDT) f. 671.

Berkhof, Louis. Hyrje në Teologjinë Sistematike. (Introduction to Systematic Theology) Grand Rapids: Eerdmans, 1982, fq. 15–75 (botuar fillimisht më 1932).

Bray, Gerald L., red. Konturet e Teologjisë së Krishterë. (Contours of Christian Theology) Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1993.

_______. “Teologjia Sistematike, Historia e.” (“Systematic Theology, History of”) tek FRT (NDT) fq. 671–672.

Cameron, Nigel M., red. Sfida e Teologjisë Ungjillore: Ese Rreth Qasjes dhe Metodës (The Challenge of Evangelical Theology: Essays in Approach and Method). Edinburg: Rutherford House, 1987.

Carson, D.A. “Unitet dhe Larmi në Besëlidhjen e Re: Mundësia e Teologjisë Sistematike (Unity and Diversity in the New Testament: The Possibility of Systematic Theology.)” Tek Shkrimi dhe e Vërteta (Scripture and Truth). Red. nga D.A. Carson dhe John Woodbridge. Grand Rapids: Zondervan, 1983, fq. 65–95.

Davis, John Jefferson. Themelet e Teologjisë Ungjillore (Foundations of Evangelical Theology.) Grand Rapids: Baker, 1984.

_______. Domosdoshmëria e Teologjisë Sistematike (The Necessity of Systematic Theology.) Grand Rapids: Baker, 1980.

_______. Abetarja e Teologjisë: Materiale Referuese për Studentin e Teologjisë. (Theology Primer: Resources for the Theological Student)  Grand Rapids: Baker, 1981.

Demarest, Bruce. “Teologji Sistematike (Systematic Theology.)” Tek FUT ([14]EDT) f1. 1064–1066.

Erickson, Millard. Fjalori i Shkurtër i Teologjisë së Krishterë (Concise Dictionary of Christian Theology.) Grand Rapids: Baker, 1986.

Frame, John. Teologu Van Til (Van Til the Theologian) Filipsburg, N.J.: Pilgrim, 1976.

Geehan, E.R., red. Jerusalemi dhe Athina (Jerusalem and Athens) Nutley, N.J.: Craig Press, 1971.

Grenz, Stanley J. Rishikimi i Teologjisë Ungjillore: Një Program i Ri Pune për Shekullin 21 (Revisioning Evangelical Theology: A Fresh Agenda for the 21st Century.) Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1993.

House, H. Wayne. Tabelat e Teologjisë dhe Doktrinës së Krishterë (Charts of Christian Theology and Doctrine.) Grand Rapids: Zondervan, 1992.

Kuyper, Abraham. Parimet e Teologjisë së Shenjtë (Principles of Sacred Theology.) Përkth. nga J.H. DeVries. Grand Rapids: Eerdmans, 1968 (ribotim; botuar fillimisht si Enciklopedia e Teologjisë së Shenjtë [Encyclopedia of Sacred Theology] në vitin 1898).

Machen, J. Gresham. Krishterimi dhe Liberalizmi (Christianity and Liberalism). Grand Rapids: Eerdmans, 1923. (Ky libër prej 180 faqesh, është sipas mendimit tim, një nga studimet teologjike më të rëndësishme të shkruara ndonjëherë. Ai jep një përmbledhje të qartë të doktrinave parësore biblike dhe tregon dallimet rrënjësore me teologjinë liberale protestante në çdo çështje, dallime me të cilat përballemi ende sot. Është vëllim i detyruar për t’u lexuar në të gjitha klasat e mia të hyrjes në teologji).

Morrow, T.W. “Teologjia Sistematike (Systematic Theology)” Tek FUT (NDT) f. 671.

Poythress, Vern. Teologjia Simfonike: Vlefshmëria e Perspektivave të Shumëfishta në Teologji. (Symphonic Theology: The Validity of Multiple Perspectives in Theology.) Grand Rapids: Zondervan, 1987.

Preus, Robert D. Teologjia e Luteranizmit të Post-Reformimit: Një Studim i Hyrjes Teologjike (The Theology of Post-Reformation Lutheranism: A Study of Theological Prolegomena.) 2 vëll. Sh. Luis: Concordia, 1970.

Van Til, Cornelius. Në Mbrojtje të Besimit vëll. 5: Një Hyrje në Teologjinë Sistematike. (In Defense of the Faith vol. 5: An Introduction to Systematic Theology.) pa datë botimi.: Presbyterian and Reformed, 1976, f. 1–61, 253–262.

_______. Mbrojtja e besimit (The Defense of the Faith.) Filadefia: Presbyterian and Reformed, 1955.

Vos, Geerhardus. “Ideja e Teologjisë Biblike si Shkencë dhe Si Disiplinë Teologjike. (The Idea of Biblical Theology as a Science and as a Theological Discipline.)” Tek Historia Shpenguese dhe Interpretimi Biblik (Redemptive History and Biblical Interpretation) f. 3–24. red. nga Richard Gaffin. Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1980 (artikull i botuar fillimisht në vitin 1894).

Warfield, B.B. “Roli i Pazëvendësueshëm i Teologjisë Sistematike për Predikuesin (The Indispensableness of Systematic Theology to the Preacher.)” Tek Shkrime të Përzgjedhura të Shkurtra të Benjamin B. Warfield (Selected Shorter Writings of Benjamin B. Warfield) 2:280–288. Red. nga John E. Meeter. Nutley, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1973 (artikull i botuar fillimisht në vitin 1897).

_______. “E Drejta e Teologjisë Sistematike (The Right of Systematic Theology).” Tek: Shkrime të Shkurtra të Zgjedhura të Benjamin B. Warfield (Selected Shorter Writings of Benjamin B. Warfield) 2:21–279. Red. nga John E. Meeter. Nutley, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1973 (artikull i botuar fillimisht në vitin 1896).

Wells, David. S’ka Vend për të Vërtetën, ose Çfarë i Ndodhi Teologjisë Ungjillore (No Place for Truth, or, Whatever Happened to Evangelical Theology?) (Grand Rapids: Eerdmans, 1993.

Woodbridge, John D., dhe Thomas E. McComiskey, red. Të Bësh Teologji në Botën e Sotme: Ese për Nder të Kenneth S. Kantzer (Doing Theology in Today’s World: Essays in Honor of Kenneth S. Kantzer) Grand Rapids: Zondervan, 1991.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

Studentët kanë thënë vazhdimisht se një nga pjesët më të vlefshme të ndonjë prej kurseve të tyre në kolegj ose seminar kanë qenë pasazhet e Shkrimit që ata duhet të mësonin përmendësh. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” (Ps. 119:11). Për rrjedhojë, në çdo kapitull, kam përfshirë një pasazh në lidhje me temën, për t’u mësuar përmendësh, me qëllim që mësuesit të mund të ngërthejnë mësimin përmendësh të Shkrimit në kërkesat e kursit kurdoherë që kjo është e mundur. (Pasazhet nga Shkrimi që janë për t’u mësuar përmendësh në fund të çdo kapitulli, janë marrë nga versioni i Biblës ABC.)

“Mateu” 28:18–20: Dhe Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen».

HIMN

Teologjia sistematike nëse shfrytëzohet maksimalisht, do të rezultojë në përlëvdim të Perëndisë. Për rrjedhojë është e përshtatshme që në fund të çdo kapitulli të përfshijë një himn që ka të bëjë me temën e atij kapitulli. Në rastin e një grupi studentësh në klasë, himni mund të këndohet së bashku në fillim ose në mbarim të orës së mësimit.  Ose, një lexues i vetëm, mund ta këndojë privatisht ose thjesht të meditojë pa zë mbi tekstin e himnit.

Për gati çdo kapitull, fjalët e himneve u morën nga Trinity Hymnal (Libri i Himneve i Trinisë) (Filadelfia: Botimet e Porosisë së Madhe, 1990),[15]13 libri i himneve i kishës Presbiteriane në Amerikë dhe i kishës ortodokse Presbiteriane, por shumica e tyre gjenden në shumë nga librat e tjerë të njohur të himneve. Nëse nuk është treguar ndryshe,[16]14 fjalët e këtyre himneve, tani janë pronë publike dhe nuk janë nën kufizimet e të drejtës së autorit: për rrjedhojë ato mund të kopjohen lirisht për t’u projektuar (në ekranet e kishës) ose të fotokopjohen.

Përse kam përdorur kaq shumë himne të vjetra? Edhe pse personalisht më pëlqejnë shumë nga këngët e adhurimit të cilat kanë dalë kohët e fundit e që kanë filluar të përdoren gjerësisht, kur fillova të përzgjidhja himnet që do të korrespondonin me doktrinat e mrekullueshme të besimit të krishterë, e kuptova se himnet e mrekullueshme të kishës gjatë gjithë historisë kanë një pasuri dhe gjerësi doktrinarë që ende është e paarritshme. Për disa nga kapitujt në këtë libër, nuk njoh asnjë këngë moderne adhurimi që e mbulon të njëjtën temë në mënyrë të zgjeruar—mbase kjo mund të jetë një sfidë për autorët e këngëve që të shkruajnë këngë të cilat pasqyrojnë mësimin e Shkrimit për temat perkatëse.[17]15

Megjithëkëtë, për këtë kapitull, nuk gjeta asnjë himn të lashtë apo modern që të falënderonte Perëndinë për privilegjin e studimit të teologjisë sistematike nga faqet e Shkrimit. Për rrjedhojë, kam përzgjedhur një himn përlëvdimi të përgjithshëm, që është i përshtatshëm për çdo rast.

“OH NJË MIJË GJUHË PËR TË KËNDUAR (O FOR A THOUSAND TONGUES TO SING)”

Ky himn i shkruar nga Charles Wesley (Çarlz Uesli) (1707–1788) fillon duke dëshiruar për “një mijë gjuhë” të cilat të këndojnë lavde për Perëndinë. Vargu 2 është një lutje që Perëndia të “më ndihmojë” të këndoj përlëvdimin e Tij në mbarë botën. Vargjet e tjera i japin lavdi Jezusit (v. 3–6) dhe Perëndisë Atë (v. 7).

Oh një mijë gjuhë të këndojnë

Për Shpenguesin tim madhështor lavde t’i japin Atij,

Perëndinë dhe Mbretin tim të lavdërojnë,

Ngadhënjimet e hirit të Tij.

Mësues i hirshëm dhe Perëndia im Ti je,

Më ndih të shpall në çdo vend,

Të përhap në mbarë tokën siç Vetë kërkove,

Nderimet e emrit Tënd.        

Jezus! Emri që shuan të tonën frikë,

Që urdhëron pikëllimin tonë të fashitet;

muzikë për veshët e mëkatarit është,

Është jetë, paqe e shëndet

Ai thyen forcën e mëkatit mbizotërues,

të burgosurit Ai i çliron;

Gjaku i Tij pastron dhe më të njollosurin pasues;

për mua u derdh një herë e përgjithmon’.

Ai flet dhe kur zërin e Tij dëgjojnë,

Jetë të re Ai u jep të vdekurve;

Zemrat e thyera e në zi ngazëllojnë;

Besim u jep të varfërve e të përulurve.

Dëgjojeni o të shurdhër; lëvdimin e Tij, o të pagojë,

Për lëvdime gjuhët tuaja i zgjidhni,

O të verbër, shihni, Shpëtimtari juaj vjen, nuk do të vonojë;

Dhe kërceni o të çalë nga gëzimi.

Lavdi Perëndisë dhe lëvdim dhe dashuri,

T’i jepet përgjithnjë,

Nga shenjtorët poshtë e shenjtorët lart të Tij—

Nga kisha në tokë e në qiellin mbi të.

Autori: Charles Wesley, 1739, alt.

Page  of


[1]1. Ky përkufizim i teologjisë sistematike është marrë nga profesori Xhon Frejm (John Frame), tani në Seminarin Westminster në Escondido, Kaliforni, nën të cilin isha i privilegjuar të studioja në vitet 1971–1973 (Në Seminarin Westminster, Filadelfia). Edhe pse është e pamundur të shpreh me fjalë se sa borxhli i mbetem atij në çdo rast, është me vend të shpreh mirënjohjen ndaj tij për këtë rast dhe të them se ai me shumë mundësi ka ndikuar më shumë mendimin tim teologjik sesa çdokush tjetër, në veçanti në fushat kyçe të natyrës së teologjisë sistematike dhe të doktrinës së Fjalës së Perëndisë. Shumë nga studentët e tij të mëparshëm do të dallojnë jehonat e mësimdhënies së tij në faqet vijuese, në veçanti në ato dy fusha.

[2]2. Gordon Lewis dhe Bruce Demarest kanë krijuar një frazë të re “teologji integruese” duke iu referuar teologjisë sistematike në këtë kuptim më të gjerë: shih veprën e tyre të shkëlqyer prej tri vëllimesh, Teologji Integruese (Integrative Theology) (Grand Rapids: Zondervan, 1987–1994). Për secilën doktrinë, ata analizojnë alternativat historike dhe pasazhe biblikë që bëjnë fjalë për to, japin një përmbledhje të kuptueshme të doktrinës, i përgjigjen kundërshtimeve filozofike,  dhe ofrojnë zbatim praktik.

[3]3. Charles Hodge thotë: “Shkrimi përmban të gjitha Faktet e Teologjisë” (titulli i seksionit në Teologjinë Sistematike 1:15). Ai argumenton se idetë e fituara nga intuita, vrojtimi apo përvoja, janë të vlefshme në teologji vetëm nëse ato mbështeten me anë të mësimit të Shkrimit.

[4]4. Termi “teologji biblike” mund të duket të jetë natyral dhe me vend për procesin që e kam quajtur “teologji sistematike”. Megjithëkëtë, përdorimi i tij në studimet teologjike si referencë ndaj ndjekjes së zhvillimeve historike të doktrinave përgjatë gjithë Biblës, është më së miri i vendosur, kështu që të fillosh tani të përdorësh termin teologji biblike për t’iu referuar asaj që e kam quajtur teologji sistematike, do të rezultonte veçse në pështjellim.

[5]5. Robert L. Reymond, “Justifikimi i Teologjisë me një Zbatim të Veçantë ndaj Kristologjisë Bashkëkohore (The Justification of Theology with a Special Application to Contemporary Christology),” tek Nigel M. Cameron, red., Sfida e Teologjisë Ungjillore: Ese në qasje e metodë (The Challenge of Evangelical Theology: Essays in Approach and Method) (Edinburgh: Rutherford House, 1987), fq. 82–104, citon disa shembuj nga Besëlidhja e Re të këtij lloj kërkimi nga gjithë Shkrimi për të paraqitur përfundime doktrinare: Jezusi te “Luka” 24:25–27 (dhe gjetkë); Apollo te “Veprat e Apostujve” 18:28; këshilli i Jerusalemit te “Veprat e Apostujve” 15; Pali te “Veprat e Apostujve” 17:2–3; 20:27; dhe gjithë letra e “Romakëve”. Kësaj liste mund t’i shtohet “Hebrenjve” 1 (për Birërinë hyjnore të Krishtit), “Hebrenjve” 11 (për natyrën e besimit të vërtetë) dhe shumë pasazhe të tjerë nga Letrat e tjera.

[6]6. Shih kapitullin 35, f. 709–721, mbi besimin shpëtues.

[7]7 . Fjala dogmë është një sinonim i përafërt me fjalën doktrinë, por nuk e kam përdorur në këtë libër. Dogma është një term që përdoret më shpesh nga teologët katolikë dhe luterianë dhe i referohet shpesh doktrinave që kanë miratimin zyrtar të kishës. Teologjia dogmatike është një term tjetër për teologjinë sistematike.

[8]8. Shih kapitulli 16, f. 315, 337–351, për diskutimin për termat kalvinist dhe arminian.

[9]9. Ky udhëzim u pranua dhe nga Profesor John Frame në Seminarin Westminster (shih f. 21).

[10]10 . The American Heritage Dictionary of the English Language  (Fjalori i Trashëgimisë Amerikane i Gjuhës Angleze) red. William Morris (Boston: Houghton-Mifflin, 1980), f. 950 (Përkufizimi i parë). Në thelb i njëjti kuptim pranohet nga the Fjalori Anglisht i Oksfordit (Oxford English Dictionary) (1913 red., 7:450), Fjalori i shkurtër i Oksfordit (the Concise Oxford Dictionary) (1981 red., f. 742), Fjalori Universitar i Random House (the Random House College Dictionary) (1979 ed., f. 964), dhe  Fjalori i Shekullit të Njëzetë i Chambers-it (the Chambers Twentieth Century Dictionary) (f. 780), edhe pse të gjithë shënojnë se termi paradoks mund të ketë edhe kuptimin “kontradiktë” (paçka se zakonisht më rrallë); krahasoni me Enciklopedia e Filozofisë (Encyclopedia of Philosophy) red. Paul Edwards (New York: Macmillan dhe The Free Press, 1967), 5:45, dhe të gjithë artikullin “Paradokset logjikë” nga John van Heijenoort në f. 45–51 të të njëjtit vëllim, që propozon zgjidhje për shumë nga paradokset klasikë në historinë e filozofisë. (Nëse paradoks do të kishte kuptimin “kontradiktë,” zgjidhje të tilla do të ishin të pamundura).

Kur unë përdor fjalën paradoks në kuptimin e parë të përcaktuar nga këta fjalorë sot e kuptoj se ndryshoj disi me artikullin e titulluar “Paradoksi” nga K.S. Kantzer tek FUT (EDT) red. Walter Elwell, f. 826–827 (i cili e merr fjalën paradoks me kuptimin kryesor “kontradiktë”). Megjithëkëtë, unë e përdor fjalën paradoks në kuptimin e një anglishteje të përditshme dhe të kuptimi të zakonshëm në filozofi. Mua më duket se nuk ka asnjë fjalë më të mirë të disponueshme sesa paradoks për t’ju referuar një kontradikte në dukje por jo të qenësishme.

Megjithatë, mungon uniformiteti në përdorimin e termit paradoks dhe në termin e përafërt, antinom në diskutimin bashkëkohor ungjillor. Fjala antinom nganjëherë përdoret me funksionin e asaj që unë këtu e quaj paradoks domethënë, “pohime në dukje kontradiktore që megjithëkëtë mund të jenë të dyja të vërteta” (shiko, për shembull, John Jefferson Davis, Abetarja teologjike (Theology Primer) [Grand Rapids: Baker, 1981], f. 18). Një kuptim i tillë për antinomin mori mbështetje në një libër të lexuar gjerësisht: Ungjillëzimi dhe Sovraniteti i Perëndisë (Evangelism and the Sovereignty of God ) nga J.I. Packer (Londër: Inter-Varsity Press, 1961). Në fq. 18–22 Packer e përkufizon antinomin si “një kontradiktë në dukje” (por pranon në f. 18 se përkufizimi i tij ndryshon nga Fjalori i Shkurtër i Oksfordit (Shorter Oxford Dictionary). Problemi im për sa i takon përdorimit të termit antinom në këtë kuptim është se kjo fjalë është kaq e papërdorur në anglishten e përditshme saqë ajo thjesht shton turrën e termave teknikë që duhet të mësojnë të krishterët që të arrijnë të kuptojnë teologët dhe për më tepër një kuptim i tillë mbetet i pambështetur nga ndonjë prej fjalorëve të përmendur më sipër, të cilët, të gjithë e përkufizojnë antinomin me kuptimin “kontradiktë”  (p.sh., Oxford English Dictionary 1:371). Problemi nuk është madhor, por do të ndihmonte komunikimin nëse ungjillorët do të binin në një mendje për kuptime të njëjta për këto terma.

Sigurisht që një paradoks pranohet në teologjinë sistematike dhe paradokset në të vërtetë janë të pashmangshme për sa kohë që kemi të kuptuar të kufizuar për ndonjë temë teologjike. Megjithëkëtë, është e rëndësishme të pranojmë se teologjia e krishterë nuk duhet të miratojë asnjëherë një kundërthënie (një çift pohimesh, një nga të cilat e mohon tjetrën). Një kundërthënie do të ishte: “Perëndia është tre persona dhe Perëndia nuk është tre persona” (ku termi persona ka të njëjtin kuptim për të dyja pjesët e fjalisë).

[11]11. Kam lexuar shumë ese të studentëve që thonë për shembull se ungjilli sipas Gjonit nuk thotë asgjë se si duhet të luten të krishterët. Kjo për shkak se ata kërkuan në renditës dhe panë se fjala lutje nuk gjendej te “Gjoni” dhe se fjala lutje shfaqet vetëm katër herë në lidhje me Jezusin duke u lutur tek “Gjoni” 14, 16, dhe 17. Ata nuk vunë re faktin se Gjoni përmban një sërë vargjesh të rëndësishme ku përdoret fjala kërko në vend të fjalës lutu (Gjoni 14:13–14; 15:7, 16; etj.).

[12]12 . Në kategorinë e të Reformuarve kam vendosur referenca kryq nga njëmbëdhjetë teologji sistematike (ato të renditurat në këtë kapitull plus atë të Bavinck-ut në disa kapituj). Dy vepra të tjera të Reformuara të formuluara shumë mirë janë: Themelet e besimit të krishterë (Foundations of the Christian Faith) nga James Montgomery Boice (Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1986) dhe Teologjia e Shkurtër (Concise Theology) nga J.I. Packer (Wheaton, Ill.: Tyndale House, 1993), por me to nuk kam organizuar referenca kryq në fund të çdo kapitulli, sepse janë shkruar për audienca më të gjera sesa veprat e tjera të Reformuara të renditura këtu, si dhe sepse mendova se njëmbëdhjetë teologji të Reformuara janë të mjaftueshme tashmë për të krijuar një ide të mjaftueshëm rreth mendimit të Reformuar.

[13]FRT (NDT) Fjalori i Ri i Teologjisë (New Dictionary of Theology.) S.B. Ferguson, D.F. Wright, J.I. Packer, red. Leicester dhe Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1988.

[14]red.—red. redaktuar nga,

[15]FUT (EDT) Fjalori Ungjillor i Teologjisë. (Evangelical Dictionary of Theology)

 Walter Elwell, red. Grand Rapids: Baker, 1984.

[16]vëll.—vëllim

[17]13. Ky libër himnesh është rishikuar tërësisht nga një libër himnesh me të njëjtit titull i botuar nga kisha Ortodokse Presbiteriane në vitin 1961.

[18]14. Kufizimet për të drejtat e autorit janë ende të vlefshme për himnet në kapitujt 21, 37 dhe 51 dhe këto himne nuk mund të riprodhohet pa leje nga zotëruesi i të drejtës së autorit.

[19]15. Në shtojcën 3 (fq. 1221–1222) kam renditur rreshtat e parë të këngëve bashkëkohore të adhurimit që korrespondojnë me kapitujt njëzet e gjashtë dhe pesëdhjetë e shtatë të këtij libri.